"Onkologjia 2": Smiçkovska dëshmoi se Vasev ka nënshkruar terapi, por nuk ka ndërhyrë në mjekimin
- Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin "Onkologjia 2" me dëgjimin e dëshmitares Dr. Snezhana Smiçkovska nga Klinika Universitare për Radiologji dhe Onkologji.
Shkup, 10 mars 2026 (MIA) — Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin "Onkologjia 2" me dëgjimin e dëshmitares Dr. Snezhana Smiçkovska nga Klinika Universitare për Radiologji dhe Onkologji.
Smiçkovska para Gjykatës konfirmoi se infermierja e saj çdo mëngjes ia dorëzonte historitë mjekësore për nënshkrim drejtorit të atëhershëm të Klinikës Nikola Vasev, si dhe se ai nuk ndërhyri drejtpërdrejt në mjekimin e saj.
Kur u pyet nga avokati Delo Kadiev, mbrojtës i të pandehurit të parë Vasev, në lidhje me marrëdhënien e saj me ish-drejtorin e Klinikës, Smiçkovska tha se ata nuk ishin në konflikt, por se ajo nuk kishte pasur kontakt me të vitet e fundit.
"Nuk kemi pasur grindje, por nuk kemi pasur kontakt vitet e fundit sepse nuk isha dakord me mënyrën se si na udhëhoqën dhe na menaxhuan. Kjo ishte, pa asnjë shqetësim tjetër"m, tha Smiçkovska.
Kur Kadiev e pyeti nëse edhe para se Vasev të bëhej drejtor i KURO-së, ishte e nevojshme që të gjitha terapitë biologjike të nënshkruheshin nga ish-drejtori, Smiçkovska tha se nuk mbante mend një praktikë të tillë, as se kush ishte drejtori.
Pyetje për dëshmitaren parashtroi edhe i pandehuri Vasev, duke iu referuar pretendimeve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për një sistem paralel të mbajtjes së të dhënave. Kur u pyet nëse shkrimi me stilolaps të kaltër në historitë mjekësore, të cilat u morën për nënshkrim për terapi biologjike, i përkiste një personi tjetër, ajo u përgjigj shkurt "po, dikush e shkroi", gjë për të cilën, kur u pyet shtesë nga Vasev nëse shkrimi me dorë ishte i saj, Smiçkovska tha se nuk e kishte shkruar ajo tekstin.
"Nuk e shkrova unë, ndoshta është e ngjashme, ndoshta dikush e ka kopjuar", tha Smiçkovska.
Ajo gjithashtu u pajtua me pretendimin e Vasevit se terapia iu dorëzua për nënshkrim dhe se ai nuk ndërhyri drejtpërdrejt në mjekimin e pacientëve në repart.
Avokati Bobi Spirkovski i parashtroi pyetje dëshmitares lidhur me ekspertizën e saj në një procedurë të ndërlidhur, duke rikujtuar se ajo është profesioniste e licencuar në fushën e onkologjisë dhe radioterapisë dhe duke theksuar se, sipas Ligjit, nuk ka qenë e lejuar të pranojë ekspertizë në procedura kundër kolegëve nga KURO, me të cilët është në marrëdhënie pune.
Gjykata e pranoi kundërshtimin e prokurorisë dhe nuk e lejoi pyetjen, duke arsyetuar se bëhet fjalë për një procedurë tjetër dhe se dëshmitarja është thirrur vetëm në cilësinë e dëshmitares për terapinë e përshkruar, e jo si profesioniste.
Duke pasur parasysh se prokuroria dhe mbrojtja duhet të përgatiten për paraqitjen e provave me shkrim dhe provave materiale, gjykata mori vendim që seanca gjyqësore të vazhdojë më 24 mars 2026.
Në rastin "Onkologjia 2" , Vasev dhe Nuhi akuzohen se në periudhën midis viteve 2018 deri 2022, kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me gati 36 milionë euro. Të dy të akuzuarit mohojnë fajësinë dhe pretendojnë se procesi është i motivuar politikisht.
Përveç rastit "Onkologjia 2", është duke vazhduar edhe procedura "Onkologjia 1", në të cilën Vasev dhe dy mjekë të tjerë akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s