O'Flaerti: Maqedonia ka vullnet politik dhe kornizë juridike për të mbrojtur të drejtat e romëve dhe mjedisin jetësor
- - Maqedonia manifeston vullnet të rëndësishëm politik për përballje me sfidat që lidhen me të drejtat e njeriut të romëve dhe ka zhvilluar kornizë juridike për mbrojtjen e mjedisit jetësor, e cila është një nga njëmbëdhjetë parimet themelore të rendit kushtetues të shtetit, bëhet e ditur në memorandumin e Komisionerit për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, Majkëll O'Flaerti, i përpiluar pas vizitës së tij në vend në prill të këtij viti.
- Post By Fitore Curri
- 17:53, 29 korrik, 2025
Bruksel, 29 korrik 2025 (MIA) - Maqedonia manifeston vullnet të rëndësishëm politik për përballje me sfidat që lidhen me të drejtat e njeriut të romëve dhe ka zhvilluar kornizë juridike për mbrojtjen e mjedisit jetësor, e cila është një nga njëmbëdhjetë parimet themelore të rendit kushtetues të shtetit, bëhet e ditur në memorandumin e Komisionerit për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, Majkëll O'Flaerti, i përpiluar pas vizitës së tij në vend në prill të këtij viti.
"Komisioneri gjatë vizitës së tij u impresionua nga theksi në fuqizimin e grave rome dhe përfaqësimin e grave rome në ministritë, strukturat kombëtare për të drejtat e njeriut dhe shoqërinë civile. Maqedonia e Veriut kishte disa edicione të Planit kombëtar të veprimit për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut të grave dhe vajzave rome (plani më i ri përfundoi më 9 korrik të vitit 2025), thuhet në dokumentin e titulluar "Memorandumi për të drejtat e njeriut të romëve dhe për çështjet që lidhen me të drejtën për mjedis të pastër dhe të shëndetshëm në Maqedoninë e Veriut", të publikuar sot.
Në pjesën e dokumentit kushtuar gjendjes së pjesëtarëve të bashkësisë rome më tej theksohet se Strategjia e tretë kombëtare për përfshirjen e romëve (2022-2030) identifikon qëllimet në fushat e punësimit, banimit, ekonomisë, shëndetësisë, kulturës, luftës kundër diskriminimit ndaj romëve, regjistrimit civil dhe varfërisë dhe përcillet me planet e veprimit për secilën nga këto fusha.
"Komisioneri vlerëson se organizatat e shoqërisë civile luajnë rol kyç në përmirësimin e barazisë së bashkësive rome, duke përfshirë grupet më të margjinalizuara në mesin e romëve gjatë gjithë jetës së tyre", thuhet në Memorandumin, me ç'rast përshëndetet puna e Avokatit të Popullit dhe Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi në dorëzimin e rekomandimeve te autoritetet për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut të romëve.
Dokumenti vlerëson se vendi ka bërë përparim të rëndësishëm në qasjen e romëve në arsim dhe mirëpret serinë e masave për regjistrimin e fëmijëve romë në shkolla dhe parandalimin e tyre nga braktisja e sistemit arsimor.
"Masat e përqendruara në inkurajimin e arsimimit (të romëve) në shkollat e mesme përfshijnë bursa dhe mundësinë e regjistrimit me një notë 10 për qind më të ulët se zakonisht. Komisioneri vëren rezultatet pozitive të këtyre masave", shtohet në dokumentin, me ç'rast bëhet e ditur se përfshirja e fëmijëve romë në arsimin fillor, nga 46 për qind në vitin 2008, sot arrin mbi 90 për qind.

Megjithatë, në dokumentin gjithashtu theksohet se Komisioneri O'Flaerti gjatë vizitës ka vërejtur se “ekziston hendek midis kornizës politike dhe zbatimit të saj”.
"Ai është i shqetësuar se shumë probleme vazhdojnë dhe se romët vazhdojnë të përballen me diskriminimin, varfërinë dhe përjashtimin social. Për më tepër, ekziston mospërputhje e vazhdueshme midis angazhimeve të marra përsipër në nivel kombëtar në strategjitë dhe aktivitetet e vetëqeverisjeve lokale në fushat brenda kompetencave të tyre", thuhet në dokumentin.
Në Memorandumin shtohet se disa nga bashkëbiseduesit e O'Flaerti gjatë vizitës së tyre në vend vunë në dukje financimin e pamjaftueshëm afatgjatë për zbatimin e Strategjisë kombëtare, veçanërisht në nivel lokal.
"Plani i ri i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi të rëndësishme për financim të ri për avancimin e përfshirjes së romëve, në përputhje me angazhimin e bërë në takimin e pestë ministror për integrimin e romëve në kuadër të Procesit të Berlinit më 4 shtator", shtohet në Memorandumin.
Sipas pretendimeve në Memorandumin, O'Flaerti mori informacione për forma të ndryshme të diskriminimit të romëve, siç janë përhapja e stereotipeve, paragjykimeve dhe gjuha e urrejtjes dhe pabarazia në mesin e romëve dhe pjesës tjetër të popullsisë në realizimin e të drejtave.
Në dokument bëhet e ditur edhe se “fëmijët romë shkojnë në shkollë të ndarë nga fëmijët e tjerë”, dhe se përkufizimi i segregacionit i përcaktuar në Ligjin kundër diskriminimit të vitit 2020 duhet të merret parasysh edhe në kontekstin e arsimit.

O'Flaerti rekomandon përpjekje të vazhdueshme për t'u siguruar fëmijëve romë qasje në arsimin parashkollor, ndërmarrjen e masave për t'i dhënë fund segregacionit në shkolla dhe sigurimin e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët romë në të gjitha shkollat.
Në Memorandumin rekomandohet implementim i plotë i kornizës ligjore për regjistrimin e qytetarëve nga institucionet shtetërore, si dhe përcaktimin e rreziqeve ekologjike ndaj bashkësisë rome si rezultat i diskriminimit dhe përjashtimit social.
Lidhur me mjedisin jetësor, në dokumentin bëhet e ditur se vendi ka ratifikuar shumicën e konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rajonale të lidhura me mbrojtjen e natyrës dhe atmosferës dhe përballjen me ndryshimet klimatike dhe me mbeturinat.
“Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin, ai ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të harmonizuar legjislacionin dhe politikat e tij me ato evropiane, duke përfshirë edhe Kapitullin 27 për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, thuhet në Memorandumin.
Në të më tutje bëhet e ditur se vendi ka zhvilluar kornizë juridike që rregullon mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe se neni 8 i Kushtetutës e njeh mbrojtjen e mjedisit si një nga njëmbëdhjetë parimet themelore të rendit kushtetues të shtetit.
"Maqedonia e Veriut është një nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës në të cilin është vendosur vepra penale ekocid, i cili përcaktohet si “verim ose mosveprim, në kundërshtim me ligjin, i kryer me qëllim të shkaktimit të dëmtimit të mjedisit jetësor, që shkakton dëm serioze ose të përhapura ose afatgjata në mjedisin jetësor”, thuhet në dokumentin.
Në të përmendet se Kushtetuta garanton të drejtën për mjedis të shëndetshëm, si një nga të drejtat individuale, si dhe se janë zhvilluar disa programe dhe strategji që synojnë reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe harmonizimin e tyre me qëllimet ekologjike të BE-së.

Dokumenti bën të ditur në nevojën për të zbatuar një analizë të implikimeve nga Qëndrimi i përgjithshëm i Gjykatës Supreme për të drejtën e ajrit të pastër, mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me kushtetutë, duke përfshirë të drejtën për mjedis të shëndetshëm dhe trajnimin e gjykatësve për t'u përballur me rastet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe mjedisin jetësor. Në këtë kontekst, rekomandohet të sigurohen kushte pune për mbrojtësit e të drejtave të njeriut të lidhura me mjedisin jetësor dhe sendërtimin e kornizës ekzsituese ligjore për mbrojtje nga të ashtuquajturat padi strategjike kundër pjesëmarrjes në opinion (SLAPP).
Komisioneri i Këshillit të Evropës gjithashtu rekomandon miratimin sa më të shpejtë të mundshëm të një Ligji për klimën, me çka vendi do të ishte harmonizuar me detyrimet për të drejtat e njeriut në lidhje me menaxhimin e klimës dhe përcaktimin e qëllimit për të zvogëluar emetimet e gazrave serrë në përputhje me Konventën kornizë të OKB-së për ndryshimet klimatike.
O'Flaerti qëndroi në vend nga 22 deri më 25 prill të vitit 2025, si pjesë e vizitave të tij në anëtarët e Këshillit të Evropës në lidhje me të drejtat e romëve, me ç'rast me bashkëbiseduesit e tij bisedoi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në lidhje me çështjet ekologjike.
Gjatë vizitës së tij në vend, O'Flaerti realizoi takime me Zëvendëskryeministrin dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov, ministren e Arsimit Vesna Janevska, ish-ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Vellkovski dhe drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska.
Ai vizitoi edhe Komunën e Shuto Orizarit dhe Qendrën ditore të përkujdesit për fëmijë në Kisella Vodë, ndërsa realizoi takime edhe me Avokatin e Popullit Naser Ziberi dhe me anëtarët e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.
foto: arkivi i MIA-s