• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ofir Falk, këshilltari kryesor i Netanjahut: Plani nuk është një marrëveshje e mirë, por Izraeli e pranon atë

Ofir Falk, këshilltari kryesor i Netanjahut: Plani nuk është një marrëveshje e mirë, por Izraeli e pranon atë

Tel Aviv, 2 qershor 2024 (MIA) - Ofir Falk, këshilltari kryesor për politikë të jashtme i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, sot konfirmoi se Izraeli e ka pranuar planin për armëpushim në Gazë, të paraqitur nga presidenti amerikan Xho Bajden, transmetuan mediat britanike.

"Ai (plani) nuk është një marrëveshje e mirë, por ne duam lirimin e pengjeve", tha Falk në një intervistë për "Sandej Tajms".

Falk theksoi se kushtet e Izraelit për "lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit", nuk kanë ndryshuar dhe se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm derisa të përmbushen.

Presidenti amerikan të premten e paraqiti propozimin për armëpushim në Gazë, ndërsa bëhet fjalë për një armëpushim prej tre fazave.

Megjithatë, Bajden tha se faza e parë e marrëveshjes së propozuar do të zgjasë gjashtë javë dhe do të përfshijë një armëpushim të plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gazës dhe lirimin e një numri pengjesh, duke përfshirë gra, të moshuar dhe të plagosurit, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë.

Trupat e pengjeve të vrarë do t'u kthehen familjeve të tyre dhe ndihma humanitare do të rritet në fazën e parë në 600 kamionë në ditë që do të lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës.

Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur gjallë, përfshirë ushtarët meshkuj, dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.

Faza e tretë, nga ana tjetër, do të përfshijë një thirrje për të filluar rindërtimin e madh të Rripit të Gazës. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR