• e hënë, 23 dhjetor 2024

OECD parashikon rritje të vogël të ekonomisë botërore këtë vit dhe vitin e ardhshëm

OECD parashikon rritje të vogël të ekonomisë botërore këtë vit dhe vitin e ardhshëm
Paris, 22 nëntor 2022 (MIA) - Ekonomia botërore, e penguar nga normat e larta të interesit, inflacioni dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës, do të arrijë rritje të dobët këtë vit dhe rritje edhe më të dobët në vitin 2023, njoftoi Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Sipas një parashikimi të ri të OECD-së të publikuar sot, ekonomia botërore do të rritet me vetëm 3.1 për qind këtë vit, duke rënë ndjeshëm nga 5.9 për qind në vitin 2021. Sipas OECD-së, vitin e ardhshëm rritja e ekonomisë botërore do të jetë edhe më e dobët dhe do të arrijë në 2.2 për qind. OECD, e cila ka 38 vende anëtare, parashikon se Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe në botë, do të shënojnë rritje prej vetëm 1.8 për qind këtë vit, një rënie e madhe nga 5.9 për qind e vitit të kaluar. Ekonomia amerikane do të rritet me vetëm 0.5 për qind në vitin 2023 dhe një për qind në vitin 2024. Nuk është më i mirë as parashikimi për Eurozonën, e cila është prekur nga kriza energjetike për shkak të luftës ruse në Ukrainë, ndaj OECD parashikon se do të arrijë rritje prej 0.5 për qind në vitin 2023 dhe 1.4 për qind në vitin 2024. Në lidhje me inflacionin, OECD parashikon se ai do të vazhdojë të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë evropiane. Inflacioni këtë vit pritet të jetë 8.3 për qind, një rritje e madhe nga 2.6 për qind e vitit të kaluar. Në vitin e ardhshëm, sipas OECD-së, inflacioni do të arrijë në 6.8 për qind. Ekonomia kineze, e cila kohët e fundit pati një rritje vjetore dyshifrore, do të zgjerohet me vetëm 3.3 për qind këtë vit dhe në vitin 2023 me 4.6 për qind. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR