Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore me mbështetje për Mendi Qyran si kryetar të Komunës së Strugës
- Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore i jep mbështetje të plotë kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, theksoi sot pas takimit kryetari i Odës, Nuhi Aliu.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:16, 15 tetor, 2025
Shkup, 15 tetor 2025 (MIA) - Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore i jep mbështetje të plotë kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, theksoi sot pas takimit kryetari i Odës, Nuhi Aliu.
Pas takimit me Qyran, i cili më herët ishte njeriu i parë i Odës, informoi se ka pasur komunikim të afërt dhe se Qyra si kryetar, ka lënë gjurmë pozitive për zhvillimin e institucionit.
"Qyra kishte shumë projekte dhe iniciativa, me të cilat krenohemi në periudhën kur ishte kryetar. Unë isha nënkryetar prandaj jam i njohur me çdo iniciativë dhe lobim me institucionet. Mendoj se ai e ka dhënë më të mirën për OEMVP-në. Nuk kam dyshim se do ta bëjë të njëjtën edhe në Komunën e Strugës, sepse është një njeri me aftësi menaxheriale dhe nga ana jonë, nga komora jonë, ka marrë mbështetje të plotë se do të bashkëpunojmë që nga momenti kur ai do t’i marrë kompetencat në Komunën e Strugës", tha Aliu.
Ai rikujtoi se gjatë kohës kur Qyra ishte kryetar, me iniciativë në Gjykatën Kushtetuese e fituan çështjen për taksën e solidaritetit, ndërsa ndihmoi edhe në lobimin për kthimin e TVSH-së.
Kandidati për kryetar të Komunës së Strugës, përsëri theksoi se në programin e tij janë përfshirë edhe disa nga propozimet e Odës, ndërsa sot iu paraqitën edhe të reja.
"Ka pasur kërkesa nga Oda të kemi më shumë kujdesë për ekonominë, për kompanitë mikro dhe të vogla të cilat ndodhen në gjendje të rëndë. Si kryetar i ardhshëm i komunës kam parasysh dhe kam parashikuar një buxhet për kompanitë që nuk janë në gjendje të kapërcejnë problemet", theksoi Qyra.
U bisedua edhe për bashkëpunimin me një kompani për riciklimin e mbeturinave, me të cilën ai do të lidhë marrëveshje pas marrjes së detyrës si kryetar komune. Oda ka kërkuar prej tij transparencë, respektim të ligjit, qasje të bizneseve në administratë, miratim të planeve të detajuara urbanistike, lëshim të lejeve dhe sigurim të shpejtë të dokumenteve të nevojshme. qa/
Foto: MIA