• e shtunë, 21 dhjetor 2024

O'Brajan për ndryshimet kushtetuese: Ka një ofertë në tavolinë, i inkurajoj të gjithë liderët politikë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi

O'Brajan për ndryshimet kushtetuese: Ka një ofertë në tavolinë, i inkurajoj të gjithë liderët politikë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi

Shkup, 30 nëntor 2023 (MIA) - Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Xhejms O'Brajan në intervistën për "360 Gradë" në TVM 1, thotë se është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të gjejë mënyra që të ecë përpara dhe se e vetmja zgjidhje është zgjidhja e çështjes së ndryshimeve kushtetuese.

"Ka një ofertë në tavolinë, duhet ta merrni. Nëse nuk e pranoni i ktheni shpinën historisë, sinqerisht. Kjo rrugë mund të duket e kënaqshme, por kjo do t'i kushtojë ekonomisë suaj, do të bëjë që më shumë njerëz të dëshirojnë të largohen nga vendi dhe në përgjithësi do të këtë ngecje për vendin. Ajo që më pëlqeu për vendin kur erdha për herë të parë para thuajse 30 vjet ishte se të gjithë ishin të padurueshëm të jenë pjesë e këtij projekti më të madh të quajtur BE. I inkurajoj të gjithë liderët politikë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi", thotë O'Brajan.

I pyetur për qëndrimin e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar dhe nëse ka shanse për ndërhyrje në Kornizën negociuese, O'Brajan tha se nuk do të ketë ofertë më të mirë.

"Mendoj... Jo. Shikoni, ka ofertë në tavolinë. Dhe nëse dëshironi të dini për dikë se kush është dhe si do të veprojë kur të jetë në pushtet, shikoni se si do të reagojë ndaj asaj oferte. Nëse thonë, në mënyrë shumë të qartë, ja alternativa dhe besoj se kjo është e pranueshme për të tjerët, atëherë mund të vlerësoni nëse kanë të drejtë apo jo. Nëse thonë - kam ofertë më të mirë, por nuk do ta them tani se çfarë është - ky është një personalitet nga i cili nuk do të blini një makinë. Mendoj se nuk duhet të votoni për ta. Por kjo është zgjidhje që bëjnë votuesit këtu. Unë nuk votoj këtu. Njerëzit mund të zgjedhin atë që duan", thekson O'Brajan.

Ai përsëriti se SHBA përkrah aspiratat e Maqedonisë së Veriut për BE dhe mendon se shumica e qytetarëve duan të jenë pjesë e Evropës.

"Disa struktura politike mendojnë ndryshe, disa mund të marrin para nga disa vende, disa kanë aspirata legjitime nga këndvështrimi i pakicës. Por mendoj se shumica dëshiron të jetë pjesë e Evropës dhe ne e mbështesim këtë. Ky kompromis konkret, mendojmë se është vetëm pjesë e mënyrës se si një vend bëhet plotësisht evropian. SHBA nuk është anëtare e BE-së, siç na rikujtojnë rregullisht, por BE-ja është ndërtuar mbi kompromise", thotë O'Brajan.

Lidhur me largimin e sekretarit amerikan të shtetit Entoni Blinken nga Shkupi para ardhjes së ministrit rus për Punë të Jashtme, Sergej Lavrov, ai mohon që kjo të jetë një porosi nga Uashingtoni për Moskën.

"Jo. Është një mesazh që sekretari Blinken mendoi se ishte e rëndësishme që ta spostojë orarin, të jetë i sigurt se do të jetë këtu dhe të tregojë mbështetje për OSBE-në dhe kryesimin e ministrit Osmani. E vetmja kohë në dispozicion, mes takimit të NATO-s dhe takimit në Izrael, ku ai përpiqet të ndihmojë në konfliktin e atjeshëm, ishte që të udhëtojë mbrëmë. Nuk di pse ministri Lavrov vendosi të paraqitet aq vonë", tha O'Brajan.

Lidhur me Këshillin ministror të OSBE-së, O'Brajan tha se është i suksesshëm dhe se një nga çështjet që del nga të gjitha komentet sot është se sa mirë Maqedonia e Veriut është përballur me kryesimin e kësaj organizate.

"Ministri Osmani tri herë ka qenë në Ukrainë, ka vizituar edhe vendet e tjera ku ka konflikte. Pra, OSBE-ja ka një mision konkret, bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në shoqëritë që janë pjesë e OSBE-së dhe kjo duhet të reflektohet në të drejtën për paqe. Invazioni rus i Ukrainës është shkelje groteske, okupimi i vazhdueshëm i Gjeorgjisë dhe Moldavisë është shkelje e këtyre të drejtave themelore...Ky ishte konfirmim se sa mirë vendi ia doli vitin e kaluar edhe në përgatitjen për vitin 2024. Mendoj se kemi një marrëveshje që do t'i mundësojë OSBE-së të funksionojë mirë në periudhën e ardhshme", tha O'Brajan.

Në pyetjen nëse konsideron se "lista e zezë" është efikase, ai me përgjigje se që procesi të japë rezultate duhet kohë, duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje nëse Uashingtoni po përgatit plotësim të listës.

Foto: 360 Gradë

 

QËNDRONI TË LIDHUR