• e enjte, 04 dhjetor 2025

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan arrin në mbi 2.000

Numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan arrin në mbi 2.000

 Islamabad, 4 shtator 2025 (MIA) - Disa ditë pas tërmetit shkatërrues në Afganistanin lindor, numri i të vdekurve vazhdon të rritet, me ç'rast autoritetet e talebanëve dhe të Gjysmëhënës së Kuqe Afgane që bënë të ditur se rreth 2.200 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 3.600 janë lënduar.

Aksionet për shpëtim janë ende duke u zhvilluar, por shumë nga zonat e prekura janë vështirë të arritshme, duke e bërë të vështirë ofrimin e ndihmës emergjente dhe evakuimin e viktimave, bëjnë të ditur organizatat humanitare. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) informoi se familje të tëra ishin ngujuar nën rrënoja. Mijëra shtëpi janë shkatërruar, raportoi DPA. 

 "Tërmeti e ka përkeqësuar situatën tashmë të rëndë humanitare në Afganistan", deklaroi Elke Gotshalk, drejtoreshë rajonale e organizatës gjermane të ndihmës Welthungerhilfe. Ajo vuri në dukje se vendi po vuan nga thatësira të vazhdueshme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

"Përveç kësaj, ka pothuajse 2 milionë të kthyer që janë deportuar nga vendet fqinje Pakistani dhe Irani që nga fillimi i vitit, ndërsa shpesh mbeten pa kulm mbi kokë dhe mjete për ekzistencë", shtoi Gotshalk. 

 Tërmeti goditi zonën pranë kufirit me Pakistanin pak para mesnatës të dielën.

 Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik Amerikan (USGS), tërmeti i parë kishte një magnitudë prej gjashtë ballë dhe ndodhi në një thellësi prej 8 kilometrave. Pasuan disa lëkundje pasuese. Tërmetet u ndjenë edhe në kryeqytetin pakistanez, Islamabad.

 Sot në Afganistanin lindor është regjistruar një tërmet i ri me intensitet prej 4.7 gradë, bëri të ditur USGS.

 Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR