Nuk mund të aplikoni për anëtarësim në BE dhe të shkoni në paradë në Moskë, porositi KE-ja
- Komisioni Evropian ishte krejtësisht i qartë, jo vetëm ndaj vendeve-anëtare të BE-së, por edhe partnerëve tjerë, duke përfshirë edhe kandidatët për anëtarësim si Serbia, lidhur me pjesëmarrjen eventuale të ngjarjeve në Moskë për shënimin e përvjetorit nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më 9 maj, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo.
- Post By Besnik Shuki
- 15:10, 24 prill, 2025

Bruksel, 24 prill 2025 (MIA) - Komisioni Evropian ishte krejtësisht i qartë, jo vetëm ndaj vendeve-anëtare të BE-së, por edhe partnerëve tjerë, duke përfshirë edhe kandidatët për anëtarësim si Serbia, lidhur me pjesëmarrjen eventuale të ngjarjeve në Moskë për shënimin e përvjetorit nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më 9 maj, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo.
"Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si të jetë gjithçka normale në kushte të regjimit aktual të Putinit dhe në rrethanat e tanishme të agresionit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm ushtarak ndaj Ukrainës", deklaroi Pinjo në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çka do të ndërmerr BE-ja nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq merr pjesë në paradën ushtarake më 9 maj në Moskë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerim, Partneritet Ndërkombëtar dhe Mesdhe, Gijom Mersie shtoi se BE-ja pret nga vendet që kanë aplikuar dhe negociojnë për anëtarësim të jenë partnerë të besueshëm lidhur me parimet dhe vlerat e përbashkëta, sigurinë dhe prosperitetin.
"Nevojitet që Serbia të na bind në orientimin e tillë strategjik. BE-ja ishte krejtësisht e qartë ndaj partnerëve tanë, duke i përfshirë edhe vendet kandidatë si Serbia, se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si të jetë gjithçka normale", tha Mersie.
Lidhur me pasojat e mundshme për Serbinë për shkak të pjesëmarrjes eventuale të Vuçiqit në ceremonitë e Moskës, Merise tha se KE-ja asnjëherë nuk ka thënë se "nuk do të ketë kurrfarë pasojash", por se tani për tani është herët të gjykohet për diçka që ende nuk ka ndodhur dhe që do të ndodh më 9 maj.
Lidhur me paralajmërimet se edhe kryeministri sllovak, Robert Fico do të marrë pjesë në paradën në Moskë, Pinjo theksoi se sugjerimi për mospjesëmarrje në këto ngjarje nuk vlen vetëm për kandidatët për anëtarësim, por edhe për shtetet anëtare.
"Ne e shohim këtë festë të 9 majit si pjesë të propagandës ruse dhe një përpjekje të Rusisë për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë. Prandaj jemi të mendimit se duhet të përmbahemi nga legjitimimi i kësaj lufte në asnjë mënyrë, si dhe nga pjesëmarrja në festimet në maj në Moskë”, shtoi Pinjo. bsh/
Foto: MIA arkiv