• e premte, 05 dhjetor 2025

Nota mesatare 3,69 nga matura shtetërore në afatin e provimeve në qershor

Nota mesatare 3,69 nga matura shtetërore në afatin e provimeve në qershor

Shkup, 5 gusht 2025 (MIA) – Nota mesatare e suksesit nga testimi në dy provimet eksterne të maturës shtetërore është 3,69.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska – Mihajllovska në konferencë për media i publikuan rezultatet e afatit të provimeve të qershorit në të cilin ishin paraqitur 15.004 maturantë nga të gjitha llojet e arsimit (gjimnaz, profesional, artistik) dhe në të gjitha gjuhët e mësimit. Rreth tre për qind nuk kishin ardhur në provime. 

Janevska shprehu kënaqësi që suksesi është më i madh nga viti i kaluar kur nota mesatare ishte 3,26  dhe se nuk ka pasur shumë kopjime. Siç tha, 172 kanë bërë përpjekje të kopjojnë dhe ta “tejkalojnë” sistemin. 

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mihajllovska, informoi se janë paraqitur 507 ankesa në lidhje me rezultatet, ndërsa 75 nxënës i kanë kontrolluar testet.

Mesatarja e suksesit në gjuhën amtare është 3,68, për dallim nga viti i kaluar që ishte 3,37. Rezultati mesatar në gjuhën angleze është rritur nga 3,06 në 3,65. Arritjet në matematikë janë 4,14, nga 3,73 e vitit të kaluar. Nxënësit të cilët i janë nënshtruar provimit të gjuhës frënge arritën rezultat mesatar prej 4,67, më e lartë se 4,47 e vitit të kaluar. Në gjuhën gjermane mesatarja është 4,42, në ndryshim nga qershori i vitit 2024 kur ishte 4,33. Në estetikë mesatarja është 4,93 dhe është më e lartë se 4,63 e vitit të kaluar. Nxënësit në filozofi kanë arritur mesatare prej 3,71.

Provimi në gjuhën amtare dhe letërsi (maqedonase, shqipe, turke dhe serbe), i cili është obligative për të gjithë maturantët, ishte më 31 maj, ndërsa provimi i dytë, i cili është zgjedhor për nxënësit, ishte më 11 qershor. 

Maturantët të cilët në qershor nuk e dhanë provimin shtetëror ose jo në tërësi, do të mund të japin provim në sesionin e gushtit - më 12 gusht është provimi në gjuhën amtare (maqedonase, shqipe, turke, serbe) dhe letërsi, ndërsa më 14 gusht është provimi ekstern zgjedhor (matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, filozofi, estetikë).

Matura shtetërore në sistemin tonë arsimor zhvillohet që nga viti 2007, në sesionet e provimeve të qershorit dhe gushtit. E vetmja herë që nuk u organizua ishte në fund të vitit shkollor 2019/2020 për shkak të pandemisë Kovid. fc/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR