• e premte, 22 nëntor 2024

Njëqind milionë euro mbështetje nga BERZH-i për një kalim më të shpejtë dhe më të lehtë në agjendën e “gjelbër”

Njëqind milionë euro mbështetje nga BERZH-i për një kalim më të shpejtë dhe më të lehtë në agjendën e “gjelbër”

Shkup, 22 gusht 2023 (MIA) - Përkrahje në financimin e shpenzimeve për përmirësimin e procesit të prodhimit, investime në burime të reja të ripërtëritshme të energjisë dhe mirëmbajtjen e termocentraleve tashmë të ndërtuara nga burime të ripërtëritshme, është qëllimi i huasë në vlerë prej 100 milionë euro të siguruara nga BERZH-i për SHA EMV.

Marrëveshja për huanë është nënshkruar sot në Ministrinë e Financave.

Huaja ka një periudhë shlyerjeje pesëvjeçare, me grejs periudhë prej gjashtë muajsh dhe me një normë të ndryshueshme interesi EURIBOR gjashtëmujore me një marzh prej një për qind. Kompania do të jetë përfituese e fondeve dhe do të shërbejë të gjitha detyrimet, ndërsa shteti do të japë garanci.

Siç theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi para nënshkrimit të Marrëveshjes, Qeveria me këtë edhe një herë tregon se ka qasje serioze në përballjen me krizën energjetike.

"Sot sigurohen 100 milionë euro shtesë, mbështetje për EMV-në. Situata po lehtësohet sepse 100 milionë euro nuk duhet të jepen nga Buxheti", tha Besimi.

Ai përkujtoi se nga viti 2020 - 2022 Qeveria ka reaguar shpejt për t'u përballur me krizat dhe ka ndarë rreth dy miliardë euro. Në vitin 2023, nga ana tjetër, theksoi Besimi, janë planifikuar 225 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë.

"Këto 100 milionë euro nga BERZH janë plus 225 milionë euro të planifikuara", thekson Besimi.

Sipas drejtorit të EMV-së, Vasko Stefanov i cili u falënderua për mbështetjen nga BERZH, SHA EMV vazhdon të lëvizë drejt “skenarit të gjelbër”.

"Janë planifikuar disa projekte që do të ndikojnë seriozisht që vendi të jetë energjetik i pavarur. Mbështetja dhe bashkëpunimi me institucionet si BERZH janë të një rëndësie kyçe dhe do të kontribuojnë për një kalim më të shpejtë dhe më të lehtë në agjendën e "gjelbër" me përkushtim për kalimin në energji të pastër që synon të reduktojë gazrat serrë për 61 për qind", theksoi Stefanov.

Përveç Marrëveshjes për hua, në Ministrinë e Financave është nënshkruar edhe Marrëveshja për garanci ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BERZH-it.

Në nënshkrimin e kontratave morën pjesë ministri Besimi, drejtoresha e BERZH-it për Evropën Juglindore, Sharllot Rue dhe drejtori i EMV-së Stefanov. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR