Një vit nga Dialogu strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së
- Sot shënojmë një vit nga Dialogu strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington. Dialogu u nis nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.
- Post By Fami Bajrami
- 11:20, 2 qershor, 2023
Shkup, 2 qershor 2023 (MIA) - Sot shënojmë një vit nga Dialogu strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, i cili u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington. Dialogu u nis nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ambasadorja e SHBA-së, Anxhela Ageler, me një video të përbashkët uruan përvjetorin e Dialogut Strategjik, duke rikonfirmuar zotimet e tyre të përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjen e konsiderueshme për procesin tonë të integrimit evropian.
“Si partnerë strategjikë kemi përpara një sërë aktivitetesh për të adresuar sfidat e vendit, si forcimi i mëtejshëm i modelit tonë autentik të demokracisë funksionale multietnike, lufta kundër korrupsionit, investimet në infrastrukturë, por edhe integrimi i vendit në BE, gjë që është interesi ynë i përbashkët strategjik”, theksoi Osmani në përvjetorin e mbajtjes së dialogut.
Ambasadorja Ageler, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj të fortë për procesin tonë të integrimit evropian tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë mbështetësja jonë e vazhdueshme dhe miku më i madh.
“Ne do të jemi me ju krah për krah përderisa i arrini qëllimet tuaja të sigurisë, prosperitetit dhe mundësive brenda komunitetit evropian”, ka thënë Ageler.
Në kuadër të Dialogut strategjik, Ministria e Punëve të Jashtme si koordinatore e procesit të përgjithshëm në bashkëpunim me institucionet kompetente, përgatiti Plan veprimi për realizimin e projekteve në fusha të ndryshme. Me miratimin e tij në seancë të qeverisë, të gjitha aktivitetet në kuadër të dialogut u bënë pjesë e programit të punës së qeverisë. Me qëllim të zbatimit të suksesshëm praktik të Planit të veprimit të miratuar të gjitha ministritë, institucionet dhe agjencitë e vendit që kanë kompetenca në zbatimin e tij i nominuan persona të cilët e monitorojnë realizimin e aktiviteteve në kompetencë të tyre dhe çdo tremujor Ministrisë së Punëve të Jashtme i paraqesin informacion për statusin dhe dinamikën e tyre të realizimit.
Foto: arkivi i MIA-s