• e premte, 20 dhjetor 2024

Një pjesëtar i Armatës vdiq në spital pasi iu përkeqësua gjendja në "Krivolak"

Një pjesëtar i Armatës vdiq në spital pasi iu përkeqësua gjendja në

 Shkup, 20 qershor 2024 (MIA) - Ushtari profesionist A.J. (25) ka vdekur mbrëmë rreth orës 23:15 në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv, njoftoi sot në mëngjes Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ushtari profesionist ishte një nga kandidatët i cili ndoqi kursin selektiv për batalionin e forcave speciale që po zhvillohet prej njëzet ditësh në Stërvitjen e Armatës “Krivolak”.

Siç thuhet nga Shtatmadhoria, ushtari në fund të kryerjes së disiplinës së fundit të kursit selektiv, një marshim në distancë në orët e vona të pasdites, pas orës 18.30, pa asnjë shenjë paraprake të dukshme, papritur u sëmur, pas së cilës ra pa ndjenja.

Menjëherë me automjetin e spitalit të ushtrisë dhe i shoqëruar nga një mjek ushtarak i cili është vazhdimisht i pranishëm në aktivitetet e kursit selektiv, është dërguar në objektin më të afërt shëndetësor, në qendrën shëndetësore në Negotinë, pas së cilës menjëherë pas kryerjes së analizave intervenuese, i njëjti me veturë spitalore është dërguar në Klinikën në Shkup, ku stafi ka marrë të gjitha masat për reanimim, por pas një kohe të shkurtër është konstatuar vdekja.

Udhëzime për procedurë të mëtutjeshme dhe përcaktimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur aksidenti gjatë orëve të natës janë dhënë nga prokurori publik i cili do ta udhëheqë procedurën e mëtutjeshme hetimore.

 Raporti zyrtar për shkaqet e vdekjes së pjesëtarit të armatës do të bëhet i ditur pas kryerjes së autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, pas së cilës opinioni do të njoftohet menjëherë.

 Ushtari i ndjerë filloi kursin selektiv 24 ditor me shëndet të mirë dhe në gjendje të shkëlqyer fizike, për të gjithë kohëzgjatjen e aktiviteteve të planifikuara të kursit, theksojnë nga SHP i Armatës. qa

 Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR