Një paciente dëshmoi për marrjen e terapisë jashtë procedurës standarde në rastin "Onkologjia 2"
- Në seancën e sotme për rastin "Onkologjia 2" në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, dëshmoi një paciente e cila kishte marrë kimioterapi dhe imunoterapi duke e përshkruar se si një nga terapitë që i është dhënë jashtë procedurës standarde dhe pa u evidentuar në regjistër.
- Post By Fami Bajrami
- 12:12, 20 nëntor, 2025
Shkup, 20 nëntor 2025 (MIA) - Në seancën e sotme për rastin "Onkologjia 2" në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, dëshmoi një paciente e cila kishte marrë kimioterapi dhe imunoterapi duke e përshkruar se si një nga terapitë që i është dhënë jashtë procedurës standarde dhe pa u evidentuar në regjistër.
Sipas dëshmisë së saj, herën e nëntë që kishte ardhur në klinikë, dr. Nino Vasev i kishte thënë se ilaçi është në mungesë dhe se kanë mbetur vetëm tre shishe, nga të cilat i është dhënë një pa u evidentuar në regjistër.
"Herën e nëntë që erdha, pritëm në radhë për një ekzaminim si gjithmonë, më thirrën në ordinancë, dr. Nino dhe dy infermiere dhe bazuar në historinë time dr. Nino më shpjegoi se për momentin kishin mungesë të ilaçit, kishin tre shishe të mbetura dhe se meqenëse isha më e re, ilaçi është më efektiv te unë, 'do ta jap një’, por nuk do të evidentohet në regjistër", kujton dëshmitarja.
Ajo shtoi se pasi ilaçi iu aplikua në ambulantën ditore, mbeti në dilemën se pse terapia nuk u regjistrua në raport.
"Në atë moment, isha e lumtur që mora ilaçin, megjithëse kur arrita në shtëpi folëm me familjen time dhe deri më sot ende shtroj pyetjen pse duhej të bëhej në atë mënyrë, pse të mos shkruhej në raport si çdo cikël i rregullt. Ky është udhëzimi ditor për të marrë ilaçin, onkologu i familjes e nënshkruan dhe pastaj infermierja ia çon drejtorit i cili gjithashtu duhet të vendosë vulë dhe nënshkrim. Këtë herë ishte kështu, si diçka joformale", shtoi ajo.
Pacientja theksoi se nuk i është kërkuar të paguajë, ndërsa kur u pyet nëse mjekja kishte ndonjë interes personal, ajo u përgjigj negativisht. Ajo theksoi se vetë doli si dëshmitare sepse ndjeu një përgjegjësi qytetare pasi mësoi për rastin.
Gjykimi për rastin "Onkologjia 2" në Gjykatën Themelore Publike Shkup ka filluar nga fillimi për shkak të ndërrimit të një anëtari të trupit gjykues.
Të akuzuar janë ish drejtori mjekësor i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev dhe drejtori ekonomik Nehat Nuhiu.
Sipas aktakuzës, ata kanë blerë ilaçe në mënyrë të paligjshme nga viti 2018 deri në vitin 2022 i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me gati 36 milionë euro.
Dy të pandehurit mohojnë fajësinë, duke pretenduar se aktakuza është e pabazuar dhe e sajuar politikisht.
Përveç "Onkologjisë 2", kundër Vasev dhe dy mjekëve të tjerë është duke u zhvilluar një proces tjetër - "Onkologjia 1", për trajtim joadekuat të pacientëve.