Një i lënduar nga zjarri në Koçan kthehet nga mjekimi jashtë vendit, jashtë vendit janë hospitalizuar edhe 55 pacientë
- Edhe një tjetër person i lënduar nga zjarri në Koçan, i cili po mjekohej në Bullgari, sot kthehet në vend, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
- Post By Fami Bajrami
- 14:54, 10 prill, 2025

Shkup, 10 prill 2025 (MIA) - Edhe një tjetër person i lënduar nga zjarri në Koçan, i cili po mjekohej në Bullgari, sot kthehet në vend, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Jashtë vendit, për momentin janë hospitalizuar 55 pacientë.
E pandryshuar mbetet gjendja e pacientëve, të cilët po mjekohen jashtë vendit, duke përfshirë edhe pacientët në gjendje kritike.
Në spitalet e vendit aktualisht po mjekohen 10 pacientë, prej të cilëve katër në Klinikën Kirurgjike "Shën Naumi i Ohrit", nga një pacient në Klinikën e Toksikologjisë, Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, Klinikën e Pulmologjisë dhe në Spitalin e Përgjithshëm "8 Shtatori", si dhe dy pacientë në Spitalin privat Sistina.
Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se gjendja e pacientëve të lënduar po monitorohet në vazhdimësi, me qëllim për të siguruar trajtim sa më të mirë, si dhe rehabilitim të mëtejshëm.
Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan shpërtheu herët në mëngjes më 16 mars. Në tragjedinë kanë humbur jetën 61 persona, ndërsa rreth 200 janë lënduar. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s