Një gjykatë në Argjentinë urdhëroi arrestimin e Maduros për krime kundër njerëzimit
- Një gjykatë e Argjentinës dje urdhëroi arrestimin e një numri të madh të zyrtarëve të Venezuelës, përfshirë edhe presidentin Nikolas Maduro, si pjesë e një rasti për krime kundër njerëzimit.
Buenos Aires, 24 shtator 2024 (MIA) - Një gjykatë e Argjentinës dje urdhëroi arrestimin e një numri të madh të zyrtarëve të Venezuelës, përfshirë edhe presidentin Nikolas Maduro, si pjesë e një rasti për krime kundër njerëzimit.
"Drejtësia argjentinase ka urdhëruar arrestimin e Nikolas Maduro, Diosdado Kabello dhe liderëve të tjerë të qeverisë venezueliane për krime kundër njerëzimit", kumtoi Forumi argjentinas për Mbrojtjen e Demokracisë, i cili nisi çështjen.
“Është vërtetuar se në Venezuelë ekziston një plan sistematik për represion, zhdukje me forcë të njerëzve, torturë, vrasje dhe persekutim të një pjese të popullsisë civile, i zhvilluar të paktën nga viti 2014 e deri më sot”, thuhet në vendimin 20 faqesh të gjykatës federale në Buenos Aires e cituar nga mediat lokale.
Gjykatësit argjentinas vendimin e tyre e bazuan në parimin e juridiksionit universt, i cili i referohet rasteve të krimeve kundër njerëzimit, transmetoi DPA.
Më herët dje, Gjykata e Lartë e Venezuelës urdhëroi arrestimin e presidentit argjentinas Havier Millei, ministres së sigurisë Patrisha Bullrih dhe Karina Millei, motrës së presidentit dhe këshilltares presidenciale, me akuza për larje parash dhe privimit të paligjshëm të lirisë.
Buenos Aires dhe Karakas i kanë tensionuar marrëdhëniet që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të 28 korrikut, të cilat u akuzuan për mashtrime masive.
Diplomatë argjentinas u dëbuan nga Venezuela pas zgjedhjeve, ndërsa Buenos Aires i bëri thirrje Gjykatës ndërkombëtare penale në Hagë të lëshojë një urdhër arresti për Maduron.
Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, siguroi një mandat të tretë pasi pushteti zgjedhor në vend, i mbushur me besnik qeveritar, e shpalli atë fitues.
Qeveria nuk siguroi ndonjë rezultat konkret nga votuesit për të mbështetur fitoren e Maduros. Opozita pretendon se kandidati i saj Edmundo Gonzalez ka fituar dhe ka mbështetje të konsiderueshme nga vendet e tjera të rajonit dhe nga SHBA-ja.
Gonzales më 8 shtator udhëtoi në Spanjë dhe aty dorëzoi kërkesë për azil politik. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s