• e premte, 05 dhjetor 2025

Një delegacion i Prokurorisë publike për vizitë të institucioneve më të larta të prokurorisë publike në Portugali

Një delegacion i Prokurorisë publike për vizitë të institucioneve më të larta të prokurorisë publike në Portugali

Shkup, 18 tetor 2025 (MIA) - Një delegacion i Prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Këshillit të prokurorëve publikë dhe Akademisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë nga 13 deri më 17 tetor ka qëndruar për vizitë studimore në Lisbonë të Portugalisë.

Në kuadër të vizitës në Prokurorinë publike shtetërore dhe Këshillin e lartë të prokurorëve publik në Portugali, ata u njohën me kornizën ligjore dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve të prokurorisë publike në këtë vend evropian, veçanërisht nga aspekti i financimit dhe pavarësisë së sistemit të prokurorisë publike, transparencës së procedurave, vlerësimit dhe mbikëqyrjes së punës së prokurorëve publikë.

Pjesëmarrësit gjatë vizitës u takuan dhe shkëmbyen përvoja me Dejvid Aleksandrino de Agilar, prokuror publik në Prokurorinë publike të shtetit portugez, me Maria Rakel de Karvajo, anëtare e Këshillit dhe me përfaqësues të Shërbimit të inspektimit të Këshillit, derisa u pritën gjithashtu nga Paulo Morgado de Karvajo, zëvendësprokuror i përgjithshëm i Portugalisë.

Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu Prokurorinë publike të specializuar për hetime në Lisbonë, ku drejtoresha Maria de Lurdes Parada i prezantoi me sistemin elektronik të menaxhimit të lëndëve. Kjo zyrë prokurorie merret me çështjet më të vështira dhe komplekse në Portugali, përfshirë edhe hetimin e aksidentit të fundit në teleferikun portugez "Gloria".

Në Akademinë e studimeve ligjore në Lisbonë, pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen përvoja lidhur me kompetencat, strukturën organizative, financimin dhe programet për trajnimin fillestar dhe të vazhdueshëm të prokurorëve publikë.

Vizita u organizua nga projekti “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit” financuar nga Bashkimi Evropian.

Foto: Prokuroria publike

QËNDRONI TË LIDHUR