• e hënë, 23 dhjetor 2024

Një delegacion i Kuvendit i kryesuar nga Misovski në Sesionin Baltik në Talin

Një delegacion i Kuvendit i kryesuar nga Misovski në Sesionin Baltik në Talin

Shkup, 23 nëntor 2023 (MIA) - Në kuadër të kryesimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (AP e PBEJL), Delegacioni i udhëhequr nga Goran Misovski, nënkryetar i Kuvendit, merr pjesë në Sesionin e 42-të të Asamblesë Baltike dhe Këshillit Baltik të 29-të, që mbahen më 23 dhe 24 nëntor 2023 në Talin, Estoni.

Në përbërje të Delegacionit janë Martin Kostovski, deputet dhe kryesues i Komitetit të Përhershëm të AP-së së PBEJL-së dhe Miki Millkovski, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sesioni, ku morën pjesë rreth 100 përfaqësues nga Asambleja Baltike, Këshilli Baltik dhe partnerët ndërkombëtarë, diskutuan mbi ndikimin ekonomik të pushtimit rus në Ukrainë dhe mbrojtjen civile efektive dhe koherente, përmes konsultimeve dhe koordinimit të ngushtë me shtetet baltike.

Në hapjen e sesionit folën: Timo Suslov, kryetar i Asamblesë së Baltikut, Lauri Husar, kryetar i Parlamentit të Estonisë, Viktorija Çmilite-Nilsen, kryetare e Parlamentit të Lituanisë dhe Antonjina Njenasheva, nënkryetare e Parlamentit të Letonisë

Në pjesën e paraparë për fjalimet e përfaqësuesve të asambleve të tjera parlamentare ndërkombëtare dhe partnerëve, fjalim kishte edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Misovski. Ai i përshëndeti pjesëmarrësit në emër të kryetarit të AP-së së PBEJL-së, Talat Xhaferi dhe theksoi se bashkëpunimi mes AP-së së PBEJL-së dhe Asamblesë Baltike daton që nga viti 2015. Të dy asambletë bazohen në shtyllat e pronësisë rajonale, solidaritetit dhe përfshirjes dhe promovojnë thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e kontakteve ndërmjet parlamenteve. 

Misovski theksoi se si i vetmi forum rajonal për bashkëpunim që përfshin 13 vende nga Evropa Juglindore, PBEJL-ja është formati më gjithëpërfshirës në rajon për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik, të sigurisë dhe ekonomik, veçanërisht në këto kohë sfiduese të luftës agresive ruse kundër Ukrainës.

"Ai iu referua prioriteteve të kryesimit tonë me Procesin, si: forcimi i demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore, sundimi i së drejtës, siguria dhe stabiliteti; mbrojtja e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregullat pas agresionit rus kundër Ukrainës; forcimi i pajtimit dhe ndërtimi i besimit; integrimi i përshpejtuar në BE dhe zbatimi i QZHQ-ve në EJL në përputhje me Strategjinë e EJL 2030; ndërtimi i përbashkët i korridoreve të transportit trans-evropian; investimi në rrjetet e qëndrueshme për ndërlidhje dhe stimulimi i shkëmbimeve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme të turizmit dhe kulturore; ballafaqimi me sfidat e ndryshimeve klimatike, etj", bëhet e ditur në kumtesë.

Slogani "Tejkalimi i ndarjeve, ndërtimi i besimit" është zgjedhur si moto e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me qëllim të kthimit në parimet e inkorporuara në dokumentet themelore të PBEJL-së, përkatësisht: marrëdhëniet e mira fqinjësore, stabiliteti, siguria dhe bashkëpunimi në Evropën Juglindore, si dhe synimi për integrimin e vendeve tona në familjen euroatlantike të kombeve të lira dhe demokratike.

Duke theksuar se prioritetet e Kryesimit të PBEJL-së në masë të madhe përkojnë me prioritetet e kryesimit të Estonisë me Asamblenë Baltike dhe Këshillin Baltik të Ministrave, Misovski u angazhua për avancimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy asambleve parlamentare, veçanërisht në fushat me interes të përbashkët.

Ai i ftoi përfaqësuesit e Asamblesë Baltike të marrin pjesë në Sesionin Plenar të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së, që do të mbahet pranverën e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.

Pritet që në sesionin e Asamblesë së Baltikut të miratohet Rezoluta dhe Dokument Final, si dhe të nënshkruhet Deklarata e Përbashkët e Këshillit Baltik. fc/

Fotografia: Kuvendi i RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR