Nikollovski për vizitë në Kroaci, Maqedonia e Veriut për herë të parë si vend partner i "Panairit Pranveror Bjellovar 2023"
- Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski së bashku me drejtorin e Agjencisë së Pagesave Nikica Baçovski qëndrojnë në një vizitë dyditore në Kroaci.
- Post By Sara Ademi
- 19:30, 24 mars, 2023
Shkup, 24 mars 2023 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski së bashku me drejtorin e Agjencisë së Pagesave Nikica Baçovski qëndrojnë në një vizitë dyditore në Kroaci.
Në kuadër të vizitës është zhvilluar një takim me ministren kroate të Bujqësisë, Marija Vuçkoviq dhe drejtorin e Agjencisë Kroate të Pagesave, Antun Vujiq. Në takim u diskutua për rritjen e tregtisë mes dy vendeve dhe shfrytëzimin efikas të fondeve evropiane për investime të reja në bujqësi dhe zhvillim rural.
Ministri kroat Vuçkoviq përcolli përvojat e tyre për transformimin e NP “Pyjet e Kroacisë” në kompani shtetërore “Hrvatske Shume SHPK” dhe ofroi bashkëpunim përmes ekipeve të përbashkëta që do të punojnë për përmbushjen e kërkesave për negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane. Është rënë dakord që në periudhën e ardhshme të intensifikohet bashkëpunimi me ekspertët kroatë, duke qenë se Kroacia është shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Ministrja Vuçkoviq dhe ministri Nikollovski hapën edhe edicionin e 24-të të "Panairit pranveror ndërkombëtar për bujqësi, blegtori, ekonomi dhe zejtari" në Bjellovar, i cili do të zgjasë deri të dielën.
Panairi ka një traditë të gjatë dhe Maqedonia e Veriut është vend partner për herë të parë. Në panair marrin pjesë mbi 400 ekspozues nga 11 shtete, ndër të cilat janë gjashtë kompani nga Maqedonia e Veriut që prezantohen në një hapësirë të veçantë ekspozuese.
Në hapje të panairit, ministri Nikolovski i ftoi vizitorët të vizitojnë stendën e Maqedonisë dhe të njihen me brendet e Maqedonisë së Veriut. sa/