Nikollovski: Me Britaninë e Madhe seriozisht jemi të përkushtuar në realizimin e Marrëveshjes qeveri me qeveri
- Me Britaninë e Madhe, jemi seriozisht të përkushtuar për realizimin e Marrëveshjes Qeveri me Qeveri, e cila sjell përfitime të mëdha ekonomike dhe politike, potencoi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski pas takimit me ministrin për biznes dhe tregti nga Mbretëria e Bashkuar, Ser kris Brajan në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor - procesi i Berlinit i cili po mbahet në Londër.
- Post By Ramize Qamili
- 17:21, 21 tetor, 2025
Shkup, 21 tetor 2025 (MIA) - Me Britaninë e Madhe, jemi seriozisht të përkushtuar për realizimin e Marrëveshjes Qeveri me Qeveri, e cila sjell përfitime të mëdha ekonomike dhe politike, potencoi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski pas takimit me ministrin për biznes dhe tregti nga Mbretëria e Bashkuar, Ser kris Brajan në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor - procesi i Berlinit i cili po mbahet në Londër.
Ai paralajmëroi një numër të madh takimesh me përfaqësues të lartë qeveritarë të delegacionit qeveritar të Maqedonisë.
"Sot fillojmë një vizitë pune dy-ditore në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, delegacion i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, në të cilën, përveç meje është edhe ministrja e Financave, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministri i Çështjeve Evropiane. Qëllimi kryesor pse jemi këtu është procesi i Berlinit, gjegjësisht takimet e nivelit më të lartë të cilat do të mbahen nesër. Procesi i Berlinit u organizua personalisht nga kryeministri Kir Starmer dhe përsëri do të kemi nderin, në një periudhë të shkurtër prej vetëm 5-6 muajsh, që kryeministri Mickoski të flasë me kryeministrin Starmer", deklaroi Nikollovski pas takimit.
Paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të ketë një pritje me mbretin Çarlls, që siç tha, është arritje dhe nder i veçantë duke pasur parasysh se Maqedonia nuk ka mundur të mburret me një nder kaq të madh në të kaluarën.
"Kemi pasur takime të mjaftueshme me anëtarë të Qeverisë, sapo përfunduam një takim me ministrin e Tregtisë dhe Ekonomisë, ministrin më të rëndësishëm për ne, sepse me këtë dikaster nënshkruam Marrëveshjen Qeveri me Qeveri e cila i vë në dispozicion Maqedonisë 6 miliardë euro për projekte infrastrukturore. Kemi diskutuar tashmë zhvillimin e hekurudhës me shpejtësi të lartë në Korridorin 10, ku gjërat po përparojnë mirë. Tashmë kanë filluar të përpilohen dokumentet për të filluar punën, premtuam se do të fillonim këtë vjeshtë dhe ja ku jemi. Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, kur të pushojnë kufizimet nga Kodi zgjedhor, do të fillojmë punën në spitalet në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë dhe sigurisht në projekte të tjera infrastrukturore", potencoi Nikollovski.
Gjatë ditës së nesërme, shtoi, do të kemi edhe një takim me drejtorin e Instrumentit për mbështetje ndërkombëtar së Mbretërisë së Bashkuar, ministrin për Evropën dhe Amerikën e Veriut dhe ministrin e Transportit, me të cilët do të nënshkruajmë një marrëveshje ndërshtetërore për bashkëpunim në fushën e komunikacionit ajror e cila, potencoi, do të nënkuptojë rritjen e mundësive për fluturime direkte nga Anglia në Maqedoni për më shumë turistë dhe më shumë biznes. Nesër potencoi, do të kemi takime dhe me disa ministra të tjerë.
"Këtu janë disa institucione financiare me të cilat do të diskutojmë për financimin dhe për realizimin e projekteve të mëdha, kështu që si dimensioni politik ashtu edhe ai ekonomik janë të jashtëzakonshëm dhe do të kemi vërtet një vizitë dy-ditore të frytshme në Londër. Takimi i parë me ministrin e Tregtisë dhe Ekonomisë tregon se jemi në rrugën e duhur dhe se jemi fuqimisht të përkushtuar për realizimin e Marrëveshjes Qeveri me Qeveri midis Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar", deklaroi zëvendëskryeministri Nikollovski. rq/
Foto: printskrin