• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nikollovski: Bujqësia në Maqedoninë e Veriut është model i suksesshëm dhe shembull për shfrytëzimin e parave evropiane

Nikollovski: Bujqësia në Maqedoninë e Veriut është model i suksesshëm dhe shembull për shfrytëzimin e parave evropiane

Shkup, 24 janar 2024 (MIA) - Bujqësia e Maqedonisë së Veriut tregoi se është e gatshme që t'i absorbojë paratë nga fondet evropiane pa të cilat nuk ka modernizim dhe zhvillim. U bëmë shembull dhe model i suksesshëm të cilin duan ta ndjekin vendet e rajonit. Ata pyesin për politikat tona, pyesin çka kemi bërë, që kjo të jetë më e zbatueshme te ata, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski në panelin "Bujqësia dhe zhvillimi i barabartë rajonal  - Mundësi dhe Perspektiva të BE-së" që po mbahet sot paradite në kuadër të konferencës "Vit i mundësive evropiane". 

Ai e vlerësoi vitin e kaluar si jashtëzakonisht të suksesshëm, ndërsa për këtë paralajmëroi një varg projektesh. Në mesin e prioriteteve, theksoi, do të jetë që shteti të ketë sa më pak prodhues të vegjël të ushqimit, ndërsa fokusi, siç shtoi, do të vendoset në produktet finale. 

"Në vitin 2023 dëshmuam se pjesa më e madhe e ekonomisë është e bazuar në bujqësi. Nuk patëm një protestë të vetme, por kriteri më i rëndësishëm ishin politikat dhe programet. Bujqësia maqedonase është një model i suksesshëm se si mund të përdoren paratë evropiane. Ne kemi treguar se mund të jemi shembull në lidhje me IPARD-in. Nëse në IPARD 1 kemi përdorur 10 për qind të të fondeve të përgjithshme dhe kemi kthyer 55 milionë euro në arkën evropiane, në këto pesë vite, nga viti 2017 deri në fund të 2023, kemi kthyer zero euro në arkën evropiane. Kemi një numër rekord të marrëveshjeve, 2.400, janë paguar mbi 2.200 marrëveshje, janë realizuar investime. Nuk ka përparim, nuk ka modernizim dhe zhvillim pa fondet evropiane, por ne kemi nevojë për një miliard, shumë financa, prandaj jemi vendi i parë që nisim IPARD 3, asnjë vend tjetër nuk e filloi këtë Program vitin e kaluar. Përsëri kemi një numër rekord të kërkesave për të dyja masat, mbi 1.100 aplikime, kërkohen afër 100 milionë euro", tha Nikolovski.

Pas tij në panel, foli ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, ndërsa marrin pjesë edhe drejtori i Agjencisë Pagesore, Nikica Baçovski, si dhe Elena Mlladenovska Jelenkoviq nga "Vera për Maqedoninë". fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR