• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nikolloski: Tenderi për hekurudhën drejt Bullgarisë dështoi, në formën siç është nuk mund të realizohet

Nikolloski: Tenderi për hekurudhën drejt Bullgarisë dështoi, në formën siç është nuk mund të realizohet

Shkup, 26 shtator 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ka deklaruar se tenderi për hekurudhën drejt Bullgarisë ka dështuar. 

Në intervistën për “360 gradë”, Nikolloski thotë se nuk heq dorë nga ideja për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, por ajo që hëpërhë është ofruar nuk është e kapshme për realizim. Thotë se nuk e ka ndërmend të shpall përsëri tender në formën në të cilën është tani. 

"Unë nuk heq dorë nga ideja për t'u ndërtuar hekurudha me Bullgarinë, vetëm po them se kjo që po ofrohet tani është jopraktike dhe nuk mund të realizohet. Përndryshe, dua të ndërtohet hekurudha me Bullgarinë dhe do të bëj gjithçka për t'u ndërtuar e njëjta", thotë Nikolloski. 

Ajo që duhet bërë, sipas Nikolloskit, është që të ulet me Bullgarinë dhe bashkërisht të bëhet projekt. 

"Duhet të ulemi me Bullgarinë, do të doja të ulemi që nesër, por supozoj se ata duan të mbarojnë zgjedhjet dhe të formojnë qeveri politike, të bëjmë bashkërisht projekt, për të parë nëse kjo linjë është më e mira, për të parë nëse ka një linjë më të mirë. Unë mendoj se ka dhe bashkërisht të bëjmë projekt, bashkërisht të gjejmë financim dhe bashkërisht ta tenderojmë. Vetëm kësisoj ka logjikë. Nëse bëjmë veç ne, veç Bullgaria, nuk do të përfundojë kurrë, nëse veprojmë së bashku si shtete fqinje, sepse kufijtë janë një gjë artificiale, atëherë mendoj se absolutisht mund të realizohet", ka thënë Nikolloski. 

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR