Nikolloski: Partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar do ta çojë Maqedoninë në një nivel të ri
- Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit, Geret Tomas sot në Londër nënshkruan Marrëveshjen lidhur me partneritetin për realizimin e objekteve infrastrukturore, me të cilën vendi merr në dispozicion shumën historikisht më të madhe të mjeteve prej pesë miliardë funta për realizimin e projekteve kapitale.
- Post By Lindita Sulejmani
- 16:12, 22 maj, 2025
Londër, 22 maj 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit, Geret Tomas sot në Londër nënshkruan Marrëveshjen lidhur me partneritetin për realizimin e objekteve infrastrukturore, me të cilën vendi merr në dispozicion shumën historikisht më të madhe të mjeteve prej pesë miliardë funta për realizimin e projekteve kapitale.
Ne e shohim partneritetin strategjik me Mbretërinë e Bashkuar si diçka që do ta çojë Maqedoninë në një nivel të ri. Sot po nënshkruajmë një Marrëveshje midis dy qeverive, të cilën e quajmë Marrëveshje Ndërqeveritare, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore në sektorë kyç si transporti, arsimi, mjedisi jetësor, teknologjia informatike, si dhe sektorë të tjerë që do t'i zhvillojmë, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në periudhën e ardhshme", deklaroi Nikolloski pas nënshkrimit të Marrëveshjes.
Jemi vërtet mirënjohës, vazhdoi Nikolloski, që Mbretëria e Bashkuar, me Instrumentin e saj për mbështetje të financimit të jashtëm, ka vendosur një kornizë prej pesë miliardë funta, që është marrëveshja më e madhe që vendi ka nënshkruar në historinë e tij në sferën ekonomike.

"Ne e shohim këtë si një mundësi të shkëlqyer për të zhvilluar të gjithë vendin. Tashmë kemi tre projekte gati, përkatësisht projektin e hekurudhës me shpejtësi të lartë, Korridorin 10, projektin shëndetësor për spitale dhe sigurisht projektin e arsimit për Fakultetin e Mjekësisë, e në periudhën e ardhshme do të kërkojmë projekte të reja në sektorët e energjetikës dhe mjedisit jetësor, por sigurisht edhe projekte të tjera. Ajo që është edhe më e rëndësishme për ne është se do të përdorim përvojën, por edhe ekspertizën më të mirë nga administrata publike britanike, si dhe sektori i biznesit britanik, gjë që do ta çojë administratën dhe sektorin tonë të biznesit në një nivel krejtësisht të ri", theksoi Nikolloski.
Ministri britanik Tomas theksoi se të dy vendet kanë marrëdhënie të forta dypalëshe, si aleatë të NATO-s, dhe vlerësoi se ky partneritet i ri është një hap i rëndësishëm përpara në tregtinë e ardhshme midis dy vendeve.
Ai shprehu kënaqësi për mundësinë për bashkëpunim ndërmjet bizneseve të Maqedonisë me ato të Britanisë me qëllim realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në vend.
"Marrëveshja ndërqeveritare do të mbështesë zbatimin e projekteve kyçe, fillimisht me fokus në objekte moderne shëndetësore dhe qasje në shërbime shëndetësore. Sigurisht, ekziston edhe hekurudha e re, e cila do të zvogëlojë kohën e udhëtimit si për njerëzit ashtu edhe për mallrat. Ne e dimë që investimet në infrastrukturë janë thelbësore për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve. E di që ky është qëllimi ynë i përbashkët, sigurisht për qeveritë tona, dhe ky partneritet është themeli i ri për të mbështetur një rezultat të tillë për të nxitur rritjen, për të ndarë praktikat më të mira midis dy kombeve tona dhe, natyrisht, për të ngritur marrëdhëniet tona të ndërsjella në një nivel të ri", theksoi ministri britanik Tomas.

Qeveria e Maqedonisë dy ditë më parë e miratoi teksin e Marrëveshjes, pasi kryeministri Hristijan Mickoski dhe homologu i tij britanik, Kir Starmer arritën pajtueshmëri për një partneritet strategjik në takimin e mbajtur në kuadër të Samitit të komunitetit politik evropian në Tiranë.
Vizitën në kryeqytetin britanik, zëvendëskryeministri Nikolloski, i cili kryeson delegacionin qeveritar, në të cilin bëjnë pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore, Sinisa Ivanovski, zyrtarisht e filloi dje me një takim me përfaqësues të Instrumentit për mbështetje të financimit të jashtëm (UKEF) në Ministrinë britanike për financa. ls/
Foto: Printskrin