Nikolloski dhe Dimitrieska Koçoska në takim me Tim Rid: Partneritet i konfirmuar strategjik, vijojnë hapa konkretë për realizim të projekteve nga Marrëveshja Qeveri me Qeveri
- – Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, sot realizuan takim pune me Tim Rid, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare për Financim të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar – UKEF.
- Post By Fitore Curri
- 17:43, 22 tetor, 2025
Shkup, 22 tetor 2025 (MIA) – Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, sot realizuan takim pune me Tim Rid, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare për Financim të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar – UKEF.
Në takim u bisedua për hollësitë rreth bashkëpunimit dhe mbështetjes që e mundëson kjo Agjenci në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, njoftoi Ministria e Transportit.

Maqedonisë i janë lënë në dispozicion 6 miliardë euro përmes UKEF për realizim të projekteve kapitale të cilat duhet ta mbështesin zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit dhe të sjellin vlerë të shtuar në pjesën e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës dhe mjedisit jetësor.
Siç potencoi zëvendëskryeministri Nikolloski, përveç pjesës financiare, e jashtëzakonshme është mbështetje e Britanisë së Madhe në drejtim të transmetimit të njohurive dhe përvojave të ekspertëve dhe teknologjive në realizimin e projekteve të mëdha të parapara me marrëveshjen partnere Qeveri me Qeveri.
Gjatë kësaj zëvendëskryeministri Nikolloski e theksoi përkushtimin e madh të Qeverisë në realizimin e projekteve infrastrukturore të cilat janë përfshirë në fazën e parë me Marrëveshjen, me fokus të veçantë në hekurudhën e shpejtë dhe investimeve në ndërtimin e spitaleve të reja.

Në takim u saktësuan aktivitetet e ardhshme në lidhje me bashkëpunimin mes të dyja vendeve, shfrytëzimin e mjeteve financiare dhe mbështetjen në realizimin e projekteve.
Zëvendëskryeministri Nikolloski e konfirmoi partneritetin strategjik duke theksuar se Britania e Madhe është mbështetëse e fuqishme e Maqedonisë në zhvillimin e saj, me marrëdhënie të mira politike dhe tregtare dhe mundësi për partneritete të reja përmes investimeve të reja, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Transportit. fc/
Foto: Ministria e Transportit