• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nikolloski: Autostrada Ohër - Kërçovë, rruga eksprese Gradsko - Prilep dhe penda Otinjë janë projektet në të cilat do të përkushtohem fillimisht

Nikolloski: Autostrada Ohër - Kërçovë, rruga eksprese Gradsko - Prilep dhe penda Otinjë janë projektet në të cilat do të përkushtohem fillimisht

Shkup, 20 qershor 2024 (MIA) - Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së dhe propozim për ministër të Transportit, Aleksandar Nikolloski sonte potencoi se tre projektet në të cilat do të vendosë theks pas marrjes së funksionit janë autostrada Ohër - Kërçovë, rruga e shpejtë Gradsko - Prilep dhe penda Otinjë e cila, siç theksoi, është jashtëzakonisht e rëndësishme për rajonin lindor. 

"Qytetarët presin përgjigje në dy pyetje edhe atë - e para, rruga e shpejtë nga Gradsko në Prilep, e cila lidh Pellagoninë dhe Maqedoninë Qendrore me pjesën tjetër të vendit, dhe kjo është diçka të cilën fillimisht do ta kem parasysh. E dyta, po ashtu prioritet kryesor, është autostrada Ohër-Kërçovë, e cila ka vite që është ndalur dhe nuk po ndërtohet. Do të shohim pse është kështu dhe çfarë mund të bëhet. Dhe prioriteti i tretë është ndërtimi i pendës Otinjë, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për pjesën lindore të Maqedonisë", tha Nikolloski për lajmet e televizionit Kanal 5.

Lidhur me marrëveshjen me konsorciumin "Behtel dhe Enka" për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, Nikolloski theksoi se vlerëson se kjo marrëveshje duhet të publikohet. Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes, sqaroi se institucionet në mënyrë adekuate do ta shqyrtojnë dhe do të merret përgjigje nëse mund të bisedohet edhe për seksione të tjera. 

"Nuk e di sipas cilit ligji është klasifikuar si sekret shtetëror. Sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes, kur të hyjmë në institucione, do të shqyrtojmë në përputhje me rrethanat dhe do të shohim se çfarë mund të marrë në maksimum Maqedonia nga kjo marrëveshje. A është e mundur të negociohet apo të diskutohet për seksione shtesë që mund të ndërtohen jashtë atyre që janë planifikuar, në mënyrë që Maqedonia të ketë më shumë kilometra autostrada dhe rrugë të shpejta që do të lidhnin më mirë qytetarët", tha Nikolloski.

Potencoi se do të bëjnë përpjekje që të optimizojnë në kuadër të mjeteve të parapara, qytetarët të marrin maksimunimin nga ajo që mund të nxiret nga kjo marrëveshje. 

"Shteti tashmë ka përmbushur një pjesë të detyrimeve të tij në lidhje me marrëveshjen dhe mendoj se çdo hap tjetër do të ishte i dëmshëm për shtetin, sepse këto tashmë janë fonde të shpenzuara dhe tani duhet të nxirret maksimumi, gjegjësisht të ndërtohen maksimum autostrada dhe rrugë të shpejta në kuadër të kontratës. Sa i përket pjesës së mbikëqyrjes, tashmë ka një nismë në Prokurorinë përkatëse dhe ajo duhet të tregojë vetë se si janë gjërat atje. Natyrisht, nëse ka të dhëna, duhet të dërgohet në gjykatë dhe gjykata do të vendosë nëse ka apo jo keqpërdorime", theksoi Nikolloski.

Lidhur me Bullgarinë, potencoi se ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar nuk do të ketë dhe se Bullgaria duhet t'i përmushë detyrimet e saj ndaj Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të ketë garanci se nuk do të ketë veto të tjera. 

"Sa i përket Kornizës së negociatave u tha se askush nga ne nuk kërkon të ndryshojë Kornizën e negociatave. Ne kërkojmë që Bullgaria të respektojë detyrimet e saj dhe e dyta, të mos bëjmë ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar. Nëse BE-ja vlerëson se Maqedonia duhet të negociojë dhe të bëhet anëtare, ka shumë mekanizma me të cilat mund ta detyrojë Bullgarinë të tërheqë veton, nëse beson se ne nuk duhet të negociojmë, atëherë ne nuk do të negociojmë dhe do ta zhvillojmë vendin në mënyrë të pavarur" deklaroi Nikolloski. fc/

Fotografia: VMRO-DPMNE

 

QËNDRONI TË LIDHUR