• e premte, 05 dhjetor 2025

Nga Zelenikova deri në Shkup me tren për 25 minuta, riparim edhe në aksin Draçevë-Ilinden për rritjen e transportit të mallrave

Nga Zelenikova deri në Shkup me tren për 25 minuta, riparim edhe në aksin Draçevë-Ilinden për rritjen e transportit të mallrave

Shkup, 7 nëntor 2025 (MIA) - Nga Stacioni Hekurudhor Zelenikovë deri në Stacionin Hekurudhor në Shkup do të arrihet për 25 minuta, ndërsa nga ai në Draçevë për 11 deri në 13 minuta, me riparimin e hekurudhës me gjatësi prej 25 kilometra, fazën e parë të projektit "Treni urban", e paralajmëroi sot Sinisha Ivanovski, drejtor i NP Hekurudha - Infrastruktura, pas inspektimit të aktiviteteve të riparimit në praninë e kryeministrit Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrit dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe kryetarit të ri të Qytetit të Shkupit. 

Ivanovski njoftoi se kanë filluar edhe aktivitetet e riparimit në aksin nga Draçeva deri në Ilinden, me gjatësi prej 7,7 kilometrash, i cili do të përdoret ekskluzivisht për transport mallrash. 

Pritet që punimet në të dy akset të përfundojnë për gjashtë muaj. Marrëveshja për riparimin e aksit Draçevë – Ilinden, siç tha Ivanovski, është tre milionë euro, ndërsa 5,7 milion euro është vlera e rikonstruimit nga Zelenikova deri në qendër të Shkupit.

"Faza e parë e trenit urban, me gjatësi prej 24,5 kilometrash, do të përfundojë brenda më së shumti gjashtë muajve, ndërsa aksi i dytë nga Draçeva deri në Ilinden, që është ekskluzivisht për transport mallrash, me gjatësi prej 7,7 kilometrash, do të jetë gati deri në Vitin e Ri, pasi është më i shkurtër, gjegjësisht të dyja akset do të jenë plotësisht operativë brenda gjysmë viti. Të dyja linjat janë të elektrifikuara, gjë që është e rëndësishme sepse trenat me naftë nuk do të hyjnë në Shkup me Trenin urban, por do të jenë ekskluzivisht elektrikë", deklaroi Ivanovski.

Në këtë aks ka shtatë stacione hekurudhore të cilat, siç tha ai, do të shërbejnë për të mbledhur pasagjerët që të arrijnë në mënyrë më efikase, më të shpejtë dhe, më e rëndësishmja, më ekologjike deri në Qendrën e Shkupit.

Qyteti i Shkupit, paralajmëroi kryetari Orce Gjorgjievski, do të përfshihet në mënyrë logjistike në këtë proces dhe se pikat e reja do të përshtaten me Ndërmarrjen Publike të Transportit të Shkupit në mënyrë që të mos ketë pritje nga ana e qytetarëve.

"Ajo që në të kaluarën flitej dhe për shumë dukej si ëndërr, sot po bëhet realitet, ndërsa kjo është që të fillojmë të ofrojmë një alternativë për bashkëqytetarët tanë në Shkup, duke pasur parasysh se gjatë periudhës së kaluar ata u përballën me një gjendje katastrofike lidhur me mosfunksionimin e Ndërmarrjes Publike të Transportit të Shkupit", deklaroi Gjorgjievski.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjithashtu theksoi se vizioni për Tren urban po bëhet realitet. Ndërsa me riparimin e aksit nga Draçeva deri në Ilinden do të ketë rritje të transportit të mallrave, tha Nikolloski

Mickoski, nga ana tjetër, theksoi se, përveçse do të lehtësohet trafiku, me këto projekte do të ulet edhe emetimi i grimcave të dëmshme në ajër.

"Ne kemi thënë se kur bëhet fjalë për cilësinë e ajrit, mrekullitë janë të pamundura, duhet kohë sepse më parë nuk është bërë asgjë, por ky është një nga projektet që kontribuon. Jam shumë i lumtur edhe për faktin që më në fund po e nisim sistemin BRT, por duhet të shohim pak rreth projektit se si do të konceptohet gjithçka, ndërsa do të duhet të ndërtohet një urë krejt e re mbi lumin Vardar që gjithçka të funksionojë siç duhet. Kur t’i përmbyllim të gjitha këto projekte, jam i bindur se ato do të kenë ndikim pozitiv në mjedisin jetësor dhe do ta ulin ndotjen gjatë gjithë vitit, pasi makinat qarkullojnë gjatë gjithë vitit dhe prodhojnë grimca që ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit, kjo është shumë e rëndësishme, të paktën në këtë aks. Në pjesën tjetër kemi projekte të vazhdueshme që po i zhvillojmë", deklaroi Mickoski.

Ivanovski paralajmëroi se vitin e ardhshëm do të projektohet aksi i dytë i Trenit urban, nga Vollokova deri në Stacionin hekurudhor në Shkup, ndërsa në vitin 2027 edhe pjesa e fundit, aksi Milladinovc - Ilinden - Shkup. qa/

Foto: Qeveria

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR