• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nga nesër inspektime për marzhat e pajisjeve shkollore

Nga nesër inspektime për marzhat e pajisjeve shkollore

Shkup, 4 shtator 2024 (MIA) - Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) nga nesër në terren do të inspektojë nëse tregtarët e respektojnë vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhës më të lartë tregtare ose të profitit për pajisjet shkollore, 5 për qind për shitjen me shumicë dhe 10 për qind për shitjen me pakicë.

" Tregtarët të cilët janë të përfshirë me Vendimin e Qeverisë për pajisje shkollore (Gazeta Zyrtare e RMV nr. 183/24), kanë obligim të harmonizojnë çmimet e produkteve. Nga nesër inspektorët do të jenë në terren dhe do të kryejnë kontrolle për të konstatuar nëse tregtarët kanë vepruar në përputhje me këtë vendim. Inspektorët do të veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre që dalin nga Vendimi, e në përputhje me këtë edhe sipas Ligjit për Tregti", kumtoi ISHT.

Vendimi referohet për: çantat e shpinës dhe çantat e dorës; fletore, blloqe, shënime, kolazhe; pajisje shkrimi (lapsa dhe stilolapsa); ngjyra druri; plastelinë, brumë modelimi, baza; ngjyra flamastra dhe evidenciator; ngjyra akuarele, tempera, akrilik, ngjyra uji dhe brusha; vizore dhe materiale didaktike; gdhendëse dhe goma; gërshërë për fëmijë; portofol, kuti dhe aksesorë shkollorë; ngjitës dhe kompast, kalkulatorë, busulla dhe lupa.

Marzhi më i lartë tregtar (fitimprurës) i përcaktuar nga Qeveria dje do të zbatohet deri më 20 tetor të këtij viti.

Mënyra se si do të trajtohet nëse ndonjëri nga tregtarët vepron në kundërshtim me Vendimin është paraparë në Ligjin e Tregtisë. Në rast se konstatohet shkelje e Vendimit, ISHT njofton se do të vijojnë penalitetet që dalin nga Ligji i Tregtisë. Gjobat variojnë nga 800 deri në 10 mijë euro, në varësi të madhësisë dhe llojit të tregtarit.

ISHT apelon që të respektohet Vendimi dhe u bën thirrje qytetarëve që nëse vërejnë parregullsi, menjëherë t'i lajmërojnë në Inspektoratin e Tregut.

" Punojmë në interes të qytetarëve dhe pikërisht për këtë është marrë ky Vendim, për të parandaluar përfitimin personal dhe keqpërdorimin e qytetarëve”, thekson ISHT.

Raportimin në Inspektoratin e Tregut mund ta dorëzoni në numrin 191 ose www.dpi.gov.mk. 

Qeveria mori vendimin dje në kuadër të masës "Më pak shpenzime, më shumë për ty! Ne kujdesemi", për të ndihmuar familjet me nxënës që të ulin koston e blerjes së mjeteve shkollore. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR