• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nga kalkulimet e KRE-së varet nëse sërish do të ketë tarifë të lirë ditore për rrymën

Nga kalkulimet e KRE-së varet nëse sërish do të ketë tarifë të lirë ditore për rrymën

Shkup, 27 maj 2023 (MIA) - Burimet e ripërtëritshme të energjisë, shumica e të cilave janë fotovoltaikë, prodhojnë më së shumti gjatë orëve të ditës kur ka diell dhe kjo mundëson që Komisioni rregullativ për energji dhe shërbime të ujit (RKE) të bëjë përllogaritje që do të sigurojë kthimin e tarifës së lirë ditore të energjisë elektrike, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

"Se a do të ndodhë kjo varet nga kalkulimet e KRE-së, sepse ato i bëjnë dhe punojnë si organ i pavarur nga Qeveria. Duke i marrë parasysh të gjitha elementet e çmimit final të energjisë elektrike, ne si Qeveri vazhdojmë subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike që të mos ketë goditje çmimi për qytetarët. Tashmë në Buxhet ka siguruar burime financiare në fushën e masave kundër krizës për këtë vit në shumën prej 250 milionë eurove dhe sapo të jenë në dispozicion përllogaritjet e KRE-së, atëherë do të mundemi të diskutojmë, bazuar në atë që kanë bërë dhe në bazë të fakteve a do të ketë tarifë të lirë ditore", tha Kovaçevski në pyetjen e gazetarit gjatë vizitës së sotme në Qendrën klinike në Shkup.

Ai përkujtoi se prodhimi i SHA EMV nga kapacitetet që prodhojnë energji elektrike nga qymyri dhe nafta është rritur për 44 për qind krahasuar me periudhën paraprake.

"Kjo mundëson të kemi energji elektrike pa asnjë kufizim, gjë që është vërtetuar se është kështu. E dyta, të kemi rrymë me çmimin më të ulët në rajon, sepse nuk ka pasur rritje të çmimit të rrymës, dhe përveç kësaj, shteti vitin e kaluar ka instaluar 210 megavat burime të ripërtëritshme të energjisë", thekson Kovaçevski.

Theksoi se SHA EMV gjatë muajit shkurt ka pasur një muaj dhe ditë rekord për prodhimin e energjisë elektrike, me ç'rast madje 22.000 megavat orë energji elektrike janë prodhuar në një ditë.

I pyetur nëse janë gati analizat për kthimin e TVSH-së për energjinë elektrike nga 10 për qind aktuale në 18 për qind, Kovaçevski tha se ende janë duke u bërë përllogaritje dhe shtoi se prej tyre do të varet nëse do të ketë rritje të TVSH-së apo do të mbetet e njëjtë në mënyrë që të mos ketë rritje të çmimit përfundimtar të energjisë elektrike që e paguajnë qytetarët. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR