• e enjte, 17 korrik 2025

"Nga fusha në tryezë - gjithçka nga komuna jonë", promovim i produkteve të vendit në Shkup

Shkup, 14 qershor 2025 (MIA) - Rreth 250 ekspozues nga mbi 30 komuna, koperativa dhe shoqata bujqësore, promovojnë produkte vendore me qëllim të përforcimit të lidhjes mes komuniteteve rurale dhe urbane si pjesë e manifestimit "Ushqim nga komunat" nën moton "Nga fusha në tyrezë - gjithçka nga komuna jonë", që po mbahet sot në Shkup në organizim të shoqatës "Tradita jonë, e ardhmja jonë", ndërkaq me mbështetje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Vizituesit e manifestimit patën mundësi të degustojnë produkte autentike nga secila komunë, të njihen me përpunime artizanale dhe të lidhen drejtpërdrejtë me prodhuesit. Qëllimi është të promovohet ushqimi tradicional i vendit, karakteristik për secilën komunë, si dhe bukuritë e turizmit tonë rural.

Kryeministri Hristian Mickoski në fjalimin në manifestim e ceki rëndësinë e bujqësisë si themel i ekonomisë nacionale dhe të ardhmes.

"Sot jemi këtu ta dërgojmë porosinë e fuqishme se toka e Maqedonisë së Veriut ushqen, se tryeza e Maqedonisë ka të ardhme, dhe se populli i Maqedonisë së Veriut mbështetet - dhe do të vazhdojë të mbështetet - në punën, njohuritë dhe dashurinë me të cilat bujqit tanë e përpunojnë tokën. Manifestimi 'Nga fusha në tyrezë' nuk është vetëm treg apo panair. Është simbol i tërë një zinxhiri i cili fillon me vesën e mëngjesit në fushat e Maqedonisë, vazhdon përmes djersës së bujqve, përmes shkathtësisë së përpunuesit, deri tek shija të cilën e ndjejmë në çdo mollë vendore, çdo djath, çdo domate nga toka e Maqedonisë", tha Mickoski.

Ai potencoi se bujqësia është prioritet strategjik i Qeverisë, duke cekur se në 11 muajt e kalur janë paguar mbi tetë miliardë denarë në subvencione dhe mbështetje financiare ndaj bujqve.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë fjalimit të tij theksoi se interesi për promovimin dhe prezantimin e produkteve bujqësore cilësore dhe vlerave tradicionale nga të gjitha rajonet e Maqedonisë është jashtëzakonisht i madh.

"Zonat rurale nuk janë vetëm burim ushqimi, por edhe ruajtës të kulturës, traditës dhe identitetit tonë", theksoi ministri, duke shtuar se Ministria punon me përkushtim në interes të bujqve, që qytetarët të kenë ushqim të qasshëm, cilësor dhe të sigurt.

Ministri Tripunovski u bëri thirrje qytetarëve që të jenë ambasadorë krenarë të produkteve bujqësore maqedonase.

"Kur zgjidhni një produkt vendor, kur e mbështesni ekonominë lokale, ju investoni në të ardhmen e fshatrave dhe komunave tona", theksoi ai.

Ngjarja synon të nxisë bashkëpunim më të madh, mbështetje dhe vlerësim për produktin maqedonas, si dhe ruajtjen e traditës që duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm.

Kryetari i Komunës Aerodrom, Dejan Mitevski theksoi se festivali është simbol i respektit ndaj punës së bujqve, zejtarëve dhe prodhuesve të rinj.

Kryetari i shoqatës "Tradita jonë, e ardhmja jonë", Jordan Naastov, theksoi se Maqedonia është shtet i vogël popr me histori të pasur, kulturë dhe tradita të cilat dallojnë nga rajoni në rajon varësisht nga nënqielli.

Fotо: МIА 

QËNDRONI TË LIDHUR