• e diel, 22 dhjetor 2024

Neziri: Kemi shumicë të siguruar për emërimin e ministrave të rinj, tubimi i djeshëm i ASH-së në Kumanovë nuk ishte legjitim

Neziri: Kemi shumicë të siguruar  për emërimin e ministrave të rinj, tubimi i djeshëm i ASH-së në Kumanovë nuk ishte legjitim

Shkup, 9 shkurt 2024 (MIA) - Koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend theksoi se kanë siguruar shumicë për votimin e ministrave të rinjë të Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ilir Demiri dhe Naim Bajrami në vendin e ministrave të deritanishëm Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti.

“Po, ne kemi shumicë dhe kjo punë do të përfundojë sot”, tha Neziri dhe theksoi se e gjithë procedura do të varet nga fjalimet e deputetëve.

Duke e komentuar takimin e djeshëm të Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë të thirrur nga kryetari Arben Taravari, Neziri theksoi se ai takim nuk ishte legjitim në bazë të Statutit të partisë. Ai thekson se nga informacionet që i posedojnë në takimin e djeshëm kishte më pak se 40 anëtarë, ndërsa jo 75 anëtarë siç kanë thënë dje në takim.

"Ato nuk janë reale, sepse edhe ajo ngjarje nuk ishte Kuvend, sepse dihet në bazë të Statutit që atë mund ta thërrasë kryetari i Kuvendit të partisë dhe ka afat prej shtatë ditësh. Kuvend ligjor i Aleancës për Shqiptarët do të thirret për të shtunën në orën 13 në Shkup. Kjo është ligjore dhe procedurale në bazë të Statutit dhe procedurave ligjore", tha ai.

Neziri theksoi se partia nuk është e ndarë, por kryetari i partisë është ndarë nga partia, sepse, siç tha, komunikimi i tij nuk ishte në bazë të procedurave dhe rregullave që kërkohen në parti.

"Nuk po flitet për vulë, ajo është çështje teknike. Partia ka organe dhe organet nuk u respektuan, sepse komunikimi në bazë të statusit në Fejsbuk nuk është komunikim real dhe komunikim që duhet të realizohet në bazë të Statutit dhe obligimeve të tjera që ka kryetari i partisë. Në kryesinë qëndrore ka pasur një venddim nga partia për të cilin është dashur ai të kontaktojë edhe me Kryesinë qëndrore dhe në bazë të atyre procedurave reale të nevojshme miratohen disa gjëra, e jo përmes Fejsbukut. Partia nuk komunikon përmes statusave në Fejsbuk. Ka organe, ky është një vendim kolektiv, prandaj ekzistojnë organet e partisë, Kryesia qëndrore dhe organet tjera", tha ai.

Sipas Nezirit, nuk do të ketë dy Aleanca, sepse, siç tha, do të ketë Presidencë qëndrore ligjore dhe në të do të vendoset se ka vetëm një Aleancë, ndërsa gabimin që e ka bërë kryetari është obligim i atij që duhet të japë përgjegjësi, përkatësisht llogaridhënie.

Në pyetjen e gazetarëve se në Kuvendin e nesërm a do të kërkojnë nga Taravari të japë dorëheqje, Neziri tha se ai duhet të marrë pjesë si anëtarë në kuvendin e partisë dhe të japë llogari. Nëse nuk vjen nesër, tha ai, kjo do të jetë përgjegjësia e tij dhe theksoi se ai e ka për obligim të marrë pjesë sepse është anëtar i Kuvendit të partisë.

Krahu i Taravarit dje mbajti, siç ai paraprakisht paralajmëroi takim konsultativ në Kuvendin qëndror në Kumanovë. Pas takimit Blerant Ramadani deklaroi se 75 përfaqësues të trupit partiak e kanë mbështetur Taravarin për koalicion me opozitën shqiptare.

"Siç edhe ju ishit dëshmitarë, tani u realizua takim me përfaqësues të kuvendit qëndror ku ishin të pranishëm 75 përfaqësues të kuvendit qëndror dhe të gjithë njëzëri votuan dhe gjithashtu nënshkruan për t'i dhënë mbështetje të plotë kryetarit për të realizuar këtë koalicion me opozitën shqiptare, që pas 20 viteve BDI-ja të kalojë në opozitë", tha Ramadani.

Në deklaratën Ramadani kujtoi nismën e inicuar nga përfaqësuesit e kuvendit qëndror, ku përmes një deklarate i jepet mbështetje presidentit Taravari për koalicion me partitë politike shqiptare, me qëllim siç tha BDI-ja të kalojë në opozitë". Pika e dytë nga deklarata, shtoi, është mbështetja e kryetarit, që partia pas zgjedhjeve të jetë pro-evropiane dhe në drejtim të politikave të SHBA-së pas zgjedhjeve. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR