Netanjahu: Palestinezët duhet të kenë "lirinë e zgjedhjes" për t'u larguar nga Gaza
- Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se ai dhe presidenti amerikan Donald Tramp kanë një strategji të përbashkët për Rripin e Gazës, duke mohuar se angazhohen për zhvendosjen me forcë të palestinezëve, njoftoi agjencia Anadolia.
Uashington, 10 korrik 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se ai dhe presidenti amerikan Donald Tramp kanë një strategji të përbashkët për Rripin e Gazës, duke mohuar se angazhohen për zhvendosjen me forcë të palestinezëve, njoftoi agjencia Anadolia.
"Dua t'ju informoj për diçka që do të trondisë raportet e medias që po dalin. Unë dhe presidenti Tramp kemi një qëllim të përbashkët", tha Netankahu, duke reaguar ndaj raporteve se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së palestinezëve nga enklava e rrethuar.
"Ne duam të lirojmë pengjet tona. Ne duam t'i japim fund sundimit të Hamasit në Gazë dhe të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin. Në këtë qëllim të përbashkët, ne kemi një strategji të përbashkët. Jo vetëm një strategji, por edhe taktika. Kjo nuk përfshin presion apo detyrim. Kjo përfshin koordinim të plotë", tha Netanjahu.
Trampi të hënë ishte nikoqir i Netanjahut në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan për çështje rajonale, duke përfshirë një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gazë.
I pyetur nga gazetarët gjatë takimit nëse plani i tij për zhvendosjen e palestinezëve është ende në tryezë, Tramp deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë "bashkëpunim të shkëlqyer" me vendet përreth që mund të pranonin palestinezët. Netanjahu shtoi se janë afër arritjes së një marrëveshjeje me disa vende dhe se palestinezët që duan të largohen nga Gaza duhet të kenë një zgjedhje të lirë. ls/
Foto: Arkiv