• e diel, 22 dhjetor 2024

Nesër takim me kompaninë për furnizim me gaz natyror që e theksoi Mickoski

Nesër takim me kompaninë për furnizim me gaz natyror që e theksoi Mickoski
Shkup, 6 tetor 2022 (MIA) - Ekipi qeveritar i Maqedonisë, i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, nesër do të ketë takim me kompaninë e gazit natyror, të cilën e theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kumtoi sonte ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Edhe Bekteshi, siç tha, do të marrë pjesë në takimin, i cili nuk do të mbahet në Shkup, por do të jetë jashtë vendit dhe opinioni do të informohet në detaje për bisedimet dhe ofertën. Takimi me kompaninë tjetër, për blerjen e mazutit më të lirë, për të cilin potencoi edhe Mickoski, pritet në fund të javës, më shumë gjasa në fundjavë, të shtunën ose të dielën. "Po, ne kontaktuam me një nga kompanitë. Lidhur me kompaninë e propozuar nga Mickoski për gaz natyror, nesër është paraparë takim me drejtorin e përgjithshëm, ku do të marrim pjesë unë dhe kryeministri Kovaçevski, këshilltari i tij për energjetikë. Ne do të diskutojmë detajet. Nëse kushtet dhe oferta janë të pranueshme për ESM, këtë duhet ta bëjë ESM me një tregtar të gazit natyror, theksoi Bekteshi. Nga ana e Maqedonisë, theksoi ai, tashmë janë dërguar sasitë dhe nevojat, duke përfshirë edhe nevojat e TE-TO-s. "Bëhet fjalë për një kompani të regjistruar në Evropë. Sipas njoftimeve, nesër oferta duhet të detajohet nga kompania dhe me përfundimin e negociatave do ta informojmë opinionin. Takimi nuk do të jetë në Shkup, por jashtë Maqedonisë së Veriut. Ne do të kthehemi nesër dhe opinioni do të informohet për ofertën dhe se si kanë shkuar negociatat, nënvizoi Bekteshi. Për bisedimet me Serbinë, ai vlerësoi se janë afër marrëveshjes. "Jemi afër marrëveshjes me Serbinë. Ne presim që pala serbe të vendosë, propozimi ynë është dërguar. Ekipi i tyre i ekspertëve duhet të informojë ministren e Energjisë Zorana Mihajloviq dhe presidentin Vuçiq, por deri më sot, për fat të keq, nuk kemi përgjigje. Nuk do të presim, sepse po shqyrtojmë oferta të ndryshme, tha ministri. Ai edhe një herë apelon qytetarët që të mos shqetësohen sepse do të ketë ngrohje dhe rrymë. "Por kjo nuk duhet të jetë në dëm të Buxhetit. Prandaj, do të lidhet një kontratë për ofertën më të mirë. Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse ne mund të mbulojmë 100 për qind të energjisë termike nga termocentralet, por nëse termocentrali funksionon kostot do të jenë më të vogla, tha Bekteshi. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR