• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nesër në Tiranë do të mbahet samiti Ballkani Perëndimor - BE

Nesër në Tiranë do të mbahet samiti Ballkani Perëndimor - BE

Tiranë, 28 shkurt 2024 (MIA) - Pas samitit të sotëm për Ukrainën, Tirana nesër do të jetë nikoqire edhe e një ngjarjeje të rëndësishme, samitit Ballkani Perëndimor - Bashkimi Evropian.

"Samiti rajonal i kushtohet planit për rritje dhe konvergjencë me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për të shkëmbyer mendime për të ardhmen evropiane të rajonit dhe për sfidat e përbashkëta rajonale", raportojnë mediat shqiptare.

Në fokus do të jetë pakoja e mjeteve prej gjashtë miliardë euro të cilat Bashkimi Evropian do t'i ndajë në formë të ndihmës, huave dhe granteve për projekte të caktuara, për gjashtë vendet e rajonit. 

Për dallim nga samiti i sotëm në të cilin Kosovën e përfaqësoi presidentja Vjosa Osmani, asnjë nga liderët e Prishtinës zyrtare nuk do të vijë në Tiranë në takimin e nesërm.

"Edhe pse u spekulua se do të ketë një duel mes Aleksandër Vuçiqit dhe Albin Kurtit dhe ndoshta takim me ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama, emri i kreut të qeverisë së Kosovës nuk figuron në listën e pjesëmarrësve të shpallur nga kabineti i kryeministrit. Një tjetër mungesë është ajo e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, pasi Brukseli duket se ka zgjedhur të përfaqësohet nga komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhei, i cili ndodhet tashmë në Tiranë", raportojnë mediat.

Ata veçanërisht e theksojnë faktin se Talat Xhaferi për herë të parë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut do të jetë pjesë e një samiti të rëndësishëm.

Është konfirmuar edhe prania e Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, Milojko Spajiç, kryeministër i Malit të Zi, Borjana Kristo, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave në mesin e të cilëve edhe Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR