• e premte, 11 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Nesër në Bruksel do të mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s

Nesër në Bruksel do të mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s

Bruksel, 2 prill 2025 (MIA) - Në selinë e aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel nesër fillon takimi dyditor i ministrave të jashtëm të NATO-s, i cili do të përqëndrohet në rritjen e shpenzimeve për mbrojtje të aleatëve dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.

"Ministrat e Punëve të Jashtme të 32 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe për vazhdimin e përgatitjeve për samitin e liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet në Hagë në fund të qershorit", deklaroi një funksionar anonim i Aleancës së Atlantikut të Veriut në deklaratë të dhënë para gazetarëve në Bruksel.

Pritet që ministrat të diskutojnë për atë se si të ruajnë vrullin në rritjen e shpenzimeve në mbrojtje dhe mënyrat për të rivendosur prodhimin industrial në sektorin e mbrojtjes, shtoi përfaqësuesi i NATO-s.

Ai theksoi se ministrat duhet të shkëmbejnë mendimet dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën dhe për mënyrat për të zhvilluar më tej bashkëpunimin e aleancës me partnerët nga rajoni Indo-Paqësor, duke përfshirë Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut.

Gjatë mbledhjes dyditore në Bruksel, do të mbahen tre takime të Këshillit të Atlantikut të Veriut, organ kyç për vendimmarrje i NATO-s.

Do të mbahet edhe takimi i Këshillit NATO-Ukrainë, në të cilin përveç shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s, do të marrin pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrij Sibiga dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Ministrat e Punëve të jashtme të NATO-s, gjithashtu, do të zhvillojnë bisedime të veçanta me Kaja Kallas dhe përfaqësues të partnerëve Indo-Paqësor të Aleancës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute sot do të mbajë konferencë për shtyp, ku do të diskutojë për temat në takimin ministror.

Në deklaratë për gazetarët në Bruksel, një zyrtar anonim i NATO-s potencoi se takimi i kësaj jave do të zhvillohet disa javë pas vizitës së rëndësishme të Rutes në Ballkanin Perëndimor.

"Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike, siç theksuan liderët e aleancës në samitin e NATO-s në korrik të vitit të kaluar. Siguria në Ballkanin Perëndimor është çelësi për stabilitetin e NATO-s dhe aleanca nuk do të lejojë që ajo të rrezikohet", tha përfaqësuesi i NATO-s.

Rute vizitoi Sarajevën më 10 mars, ku tha se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie dhe një kërcënim për paqen në atë vend. Një ditë më vonë, ai vizitoi Prishtinën, ku deklaroi se NATO është i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se vizita e tij është dëshmia më e mirë për këtë. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR