• e hënë, 23 dhjetor 2024

Negociatat me ASH-në për hyrjen në Qeveri janë në fazën e takimeve fillestare dhe nuk është përcaktuar asgjë konkrete, thotë Ahmeti

Negociatat me ASH-në për hyrjen në Qeveri janë në fazën e takimeve fillestare dhe nuk është përcaktuar asgjë konkrete, thotë Ahmeti
Shkup, 22 nëntor 2022 (MIA) - Kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se negociatat që po zhvillohen me Aleancën për Shqiptarët (ASH) për hyrjen e mundshme të partisë në Qeveri, janë ende në fazën e takimeve fillestare dhe nuk është përcaktuar asgjë konkrete në këtë drejtim. "Pritet që takime të tjera të mbahen në këtë drejtim", deklaroi Ahmeti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas Akademisë Solemne me rastin e 114-të vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit Shqip, që u mbajt sot në Shkup. I pyetur se si do të ndikojë hyrja e mundshme e ASH-së në Qeverinë e shumicës parlamentare, Ahmeti tha se normalisht nëse do të ketë një epilog pozitiv nga i gjithë ky proces, do të kontribuonte shumë në arritjen e një shumice parlamentare konstruktive dhe stabile. Për sistemimin e mundshëm të posteve ministrore me hyrjen e Aleancës në Qeveri, Ahmeti tha se këto tema ende nuk janë diskutuar, sepse bisedimet janë ende në fazën fillestare. Për atë nëse në kushtet e krizës është koha e duhur për të shpenzuar paratë e qytetarëve për organizimin e tubimeve si Akademia Solemne e sotme, Ahmeti tha se, sipas tij, është shumë e rëndësishme që një popull të kujtojë historinë e tij dhe personalitetet e rëndësishme nga ajo histori. "Mendoj se nuk ka çmim për përkujtimin e një ngjarje kaq të rëndësishme historike për të gjithë shqiptarët, qoftë edhe për ndonjë ngjarje përkujtimore të këtij lloji", deklaroi Ahmeti. I pyetur se pse nuk është caktuar seancë kuvendore për ndryshimet kushtetuese, Ahmeti tha se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për vendin dhe me interes të madh për të gjithë. "Ne vazhdimisht bëjmë thirrje për unitet mes partive politike. Natyrisht, për këtë proces të rëndësishëm, duhet të bëjmë hapin e duhur për të vazhduar drejt integrimit në BE. Natyrisht që kërkon kohë, por nuk kam dyshim se do ta bëjmë hapin e duhur", theksoi Ahmeti. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR