• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ndahen kontratat e para për masat 1 dhe 7 nga IPARD 3, Maqedonia e Veriut është lidere në rajon

Ndahen kontratat e para për masat 1 dhe 7 nga IPARD 3, Maqedonia e Veriut është lidere në rajon

Shkup, 16 maj 2024 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe drejtori i Agjencisë për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural Nikica Baçovski sot kanë ndarë 33 kontrata, të parat për masat 1 dhe 7 nga programi IPARD 3. 

Në thirrjen e parë publike nga IPARD 3 e cila u publikua nga 1 shtatori deri më 30 tetor 2023 me një buxhet prej 30 milionë eurosh, kanë mbërritur mbi 1.160 aplikime me pretendime financiare tre herë më të mëdha se buxheti i publikuar, pra mbi 90 milionë euro.

"Na gëzon fakti që kemi pranuar aplikime në vlerë disafish të buxhetit në dispozicion, gjë që flet për interesin dhe gatishmërinë si të fermerëve ashtu edhe të të gjithë përfituesve të masave nga programi IPARD 3. Do të thotë shumë për ne dhe është një konfirmim i suksesit i cili është rezultat i shumë energjive, mundit, punës dhe përkushtimit të agjencisë pagesore, organit menaxhues IPARD dhe të gjithë të përfshirëve në proces", tha Nikolovski.

Maqedonia e Veriut, theksoi ai, është vendi i parë para Turqisë, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe para të gjitha vendeve përfituese të IPARD-it që lidh marrëveshje për programin IPARD 3.

Kjo, theksoi ai, është rezultat i punës së palodhur dhe pranisë së të gjitha strukturave në terren, ditëve të organizuara informuese dhe afrimit të programit dhe masave IPARD 3 me përdoruesit, si dhe krijimit të besimit mes institucioneve përgjegjëse për këtë dhe shfrytëzuesit.

Drejtori i AMFBZHR-së, Baçovski njoftoi se Agjencia ka përgatitur 44 kontrata, investimet e pranueshme të të cilave kapin vlerën e gjashtë milionë eurove. Ato projekte pas realizimit të tyre do të bashkëfinancohen nga fondi IPARD me 3.7 milionë euro ose 60 për qind të totalit të investimit.

Sipas tij, IPARD është tashmë një program i njohur gjerësisht nga fermerët, sektori i bujqësisë dhe të gjitha bizneset që operojnë në zonat rurale i cili ndjeshëm mund t'i ndihmojë ata në fushën e modernizimit të mekanizimit bujqësor, ngritjen e plantacioneve të reja dhe sistemeve moderne të ujitjes, ndërtimin e kantinave të verës, objektet përpunuese, mbështetja e bizneseve në zonat rurale, turizmi rural, bujqësia alternative...

Projektet për të cilat janë lidhur marrëveshjet për masat 1 dhe 7 të programit IPARD 3 përfshijnë investime në traktorë, makineri bujqësore, ndërtim qendrash për prodhimin e materialit, ambiente për prodhimin e PVC dhe aluminit, shtëpi për të moshuarit, restorante dhe hotele në mjedise rurale. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR