Ndahen certifikatat për gjeneratën e dytë të pjesëmarrësve në trajnimin për përkthyes dhe lektorë
- Post By Fami Bajrami
- 21:41, 2 shtator, 2022

Shkup, 2 shtator 2022 (MIA)- Në amfiteatrin e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup sot u mbajt ceremonia përfundimtare e ndarjes së certifikatave për gjeneratën e dytë të pjesëmarrësve të cilët morën pjesë në trajnimin për përkthim dhe lektorim nga maqedonishtja në shqip dhe nga shqip në maqedonisht.
Në këtë aktivitet foli drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti. Të ftuar në këtë aktivitet kanë qenë edhe anëtarë të pushtetit ekzekutiv, përfaqësues të trupit diplomatik, duke përfshirë shefin e misionit të BE-së, ambasadorin Dejvid Gir, zëvendësshefi i misionit të ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Oto Graf, drejtues të institucioneve publike, anëtarë të komunitetit akademik, përfaqësues të sektorit civil dhe medias.
Në trajnim, siç theksohet në kumtesën e AZGJ-së, u përfshinë 72 nëpunës nga 43 institucione publike që kryejnë punë të përkthimit dhe lektorimit në gjuhët zyrtare. Pjesën mësimore të trajnimit e realizuan ligjërues, profesorë dhe gjuhëtarë eminentë nga vendi ynë, nga Republika e Shqipërisë dhe nga Republika e Kosovës të cilët hartuan ligjërata të përshtatshme nga fusha të veçanta gjuhësore. Gjithashtu, mjet i dobishëm në realizimin e trajnimit ishte Manuali i trajnimit, shtypja e të cilit është mbështetur financiarisht nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

