• e mërkurë, 10 dhjetor 2025

Ndërpritet seanca e Komisionit Anketues për tragjedinë në Koçan, vazhdimi do të caktohet më vonë

Ndërpritet seanca e Komisionit Anketues për tragjedinë në Koçan, vazhdimi do të caktohet më vonë

Shkup, 9 dhjetor 2025 (MIA) - Kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe deputet i të Majtës, Dimitar Apasiev pasdite e ndërpreu seancën e Komisionit, në rend dite të së cilës është ankesa e dorëzuar nga Shoqata civile "16 mars 2025 Koçan", në opinion e njohur si Shoqata e prindërve të fëmijëve viktima në diskotekën "Puls" në Koçan. Ai thekson se vazhdimi i seancës, në të cilën pritet të miratohen konkluzionet, do të caktohet më vonë.

"Konstatoj se debati për pikën e rendit të ditës ka përfunduar. Pas diskutimit të hollësishëm, këtu e ndërpres punën e seancës së sotme të pestë dhe për vazhdimin e parë, në të cilën pres që deputetët të harmonizohen dhe të marrin qëndrime adekuate, masa dhe konkluzione që do t'i propozonin për miratim, plotësisht dhe në kohë do të njoftoheni në koordinim me paraqitësit", tha Apasiev.

Deputeti i të Majtës, Amar Mecinoviq theksoi se elementi qendror në diskutim duhet të jetë se në këtë shtet dikush lejon të mos ndiqen ligjen dhe rregulloret dhe të mos veprojnë institucionet, "vetëm për shkak të parave".

"Kur ndodhi tragjedia, mendoj se të gjithë e dinim në thelb se sistemi kishte dështuar. Kur sistemi dështon, cili është dështimi i sistemit? Por, unë nuk mendoj se ky është problemi aq më tepër mënyra për të përjashtuar ata që duhet të veprojnë nga përgjegjësia. Tragjeditë na ndodhin sepse institucionet heshtin para interesit privat i cili gjeneron mjete në mënyrë joligjore. Kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të njeriut, ato ndodhin më shpesh në vendin tonë bazuar në dëshirën e dikujt  për të gjeneruar fitim. Për mua është absurde që sot të flasim për procedurë", tha Mecinoviq.

Paraprakisht, në fillim të seancës së Komisionit, Marija Petrushova, përfaqësuese e Shoqatës civile "16 mars 2025 Koçan" theksoi se kërkesa e tyre është që ky rast të shqyrtohet si shkelje serioze e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë te të drejtat e jetës.

"Ne jemi këtu jo vetëm për të vajtuar për fëmijët tanë, por edhe për të kërkuar drejtësi për ta. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë, siç bëjnë ata që u ngarkuan me detyrën për të ruajtur jetën tonë. Për shkak të neglizhencës, korrupsionit dhe pamundësisë së tyre për të përmbushur detyrën e tyre themelore, fëmijët tanë kanë vdekur, dhe shumë të tjerë mbeten të ekspozuar ndaj të njëjtit sistem të rrezikshëm. Kjo tragjedi nuk është vetëm për shkak të një shkëndije të vetme të gabuar, por pasojë e dështimeve sistemike që kërcënojnë të drejtën më themelore - të drejtën për jetë, siguri dhe drejtësi. Ajo që kemi përjetuar nuk është vetëm joefikasitet institucional - është një rrezik sistematik për të gjithë qytetarët. Kërkesat tona janë: mbështetje e menjëhershme dhe e plotë institucionale për të gjitha familjet e atyre që vdiqën në zjarrin në Puls - Koçan, një përgjigje e qartë dhe zyrtare ndaj arsyeve të vonesës së zgjatur dhe pasivitetit të plotë të institucioneve, përcaktimi i afateve specifike për përfundimin e të gjitha procedurave që lidhen me mbështetjen, shqyrtimi i të gjitha pikave të mbetura të kërkesës tashmë të paraqitur. Qeveria ka një detyrim ligjor, moral dhe njerëzor për të vepruar qartë, drejt dhe me përgjegjësi. Të tregojë kujdes, solidaritet dhe ndjeshmëri ndaj familjeve që kanë pësuar një humbje të pariparueshme. Fëmijët tanë e meritojnë. Dhimbja jonë e meriton", tha Petrushova.

Javën e kaluar, me propozim të deputetëve të shumicës parlamentare - VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN, në Kuvend u mor vendim për formimin e Komisionit Anketues për të përcaktuar rrethanat e veprimeve të institucioneve në lidhje me tragjeditë dhe aksidentet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili do të përqendrohet në tragjeditë në Koçan, Spitalin Modular, Durmo Turs dhe Llaskarca.

Më 19 nëntor të këtij viti, në sallën e gjyqit në INP të Idrizovës filloi gjyqi për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan. Zjarri ndodhi më 16 mars të këtij viti, duke vrarë 63 persona, përfshirë fëmijë, dhe dukelënduar mbi 200 të tjerë. sa/

Foto: Printskrin nga video

QËNDRONI TË LIDHUR