Nazim Taipi: Punësimet e pretenduara të VLEN-it janë kontrata në vepër për konsum politik
- Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit nga koalicioni VLEN, duke i cilësuar si propagandë me shifra të fryra dhe realitet të deformuar.
- Post By Fitore Curri
- 19:43, 17 qershor, 2025

Shkup, 17 qershor 2025
Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit nga koalicioni VLEN, duke i cilësuar si propagandë me shifra të fryra dhe realitet të deformuar.
“Të thuash se po realizohen 2.500 punësime dhe 800 avancime, pa asnjë të dhënë zyrtare apo transparencë institucionale, është ofendim për inteligjencën e qytetarëve”, ka deklaruar Taipi. Ai theksoi se procedurat ligjore për punësim nuk mund të përmbushen brenda një periudhe aq të shkurtër sa pretendohet, veçanërisht kur zgjedhjet priten të shpallen në korrik.
Sipas Taipit, gjithçka që mund të bëhet në këtë periudhë janë “kontrata në vepër, e njëjta skemë e vjetër për keqpërdorime elektorale”.
Ai po ashtu u ndal edhe te ligji për përfaqësim të drejtë, duke deklaruar se “kalimi në Qeveri nuk është arritje, por vetëm një hap procedurial. Arritje është miratimi në Kuvend dhe dërgimi në Komisionin e Venedikut”.
Për më tepër, Taipi ka ngritur shqetësimin për gjendjen e mjerueshme të shumë komunave shqiptare, ku sipas tij, projektet infrastrukturore po refuzohen për arsye politike nga ministritë dhe agjencitë.
“Në vendbanime ku mungon uji i pijshëm dhe kanalizimi, të flasësh për ‘bollëk’ është fyerje për qytetarët që jetojnë në kushte të vështira”, shtoi ai.
Në fund të deklaratës së tij, Nazim Taipi shprehu keqardhje për ish-bashkëpartiakun e tij, të cilin e cilësoi si të detyruar të dalë në mbrojtje të “shefave të tij të VLEN-it” përmes deklaratave të kota.
Aleanca për Shqiptarët
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.