Navrocki dhe Trampi biseduan për rritjen e pranisë ushtarake amerikane në Poloni
- – Presidenti polak Karol Navrocki deklaroi se gjatë vizitës së djeshme në Shtëpinë e Bardhë ka biseduar me presidentin amerikan Donald Tramp për mundësinë e rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Poloni.
- Post By Fitore Curri
- 07:58, 4 shtator, 2025
Uashington, 4 shtator 2025 (MIA) – Presidenti polak Karol Navrocki deklaroi se gjatë vizitës së djeshme në Shtëpinë e Bardhë ka biseduar me presidentin amerikan Donald Tramp për mundësinë e rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Poloni.
Navrocki shprehu bindje se bisedimet do të përfundojnë me sukses, edhe pse gjenden në fazë fillestare. “Gjatë kohës së takimit diskutuam për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Poloni... Veçanërisht jam i kënaqur që kishte bisedime konkrete për këtë projekt”, deklaroi ai pas takimit me Trampin.
Presidenti i SHBA-së konfirmoi se Uashingtoni do të ruajë prani të fuqishme ushtarake në Poloni. “Do të qëndrojmë në Poloni. Madje edhe do të dërgojmë ende, nëse ata duan”, deklaroi Trampi. “Ne jemi në pajtim të plotë me Poloninë”, theksoi presidenti amerikan.
Trampi shtoi se marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Polonisë gjithnjë ishin të qëndrueshme, por “tani janë më mirë se kurrë”. Ai përkujtoi edhe se para pak kohësh e dha mbështetjen e tij për kandidaturën e Navrockit në zgjedhjet polake.
Vizita në Uashington është vizita e parë zyrtare e Navrockit, i cili e mori funksionin president muajin e kaluar. Navrocki, ish bokser-amator dhe historian i mbështetur nga partia konservatore “E drejta dhe drejtësia”, insiston t’i përforcojë lidhjet me Trampin në një moment të ndjeshëm për Varshavën. fc/
Foto: EPA