Nëntë punëtorë të tekstilit vdiqën nga zjarri në një fabrikë në Bangladesh
- Nëntë persona humbën jetën pasi sot shpërtheu një zjarr në një depo me pajisje kimike dhe në fabrikën fqinje për veshëmbathje në Daka, kryeqyteti i Bangladeshit, kumtuan zjarrfikësit, transmetoi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 16:21, 14 tetor, 2025
Daka, 14 tetor 2025 (MIA) - Nëntë persona humbën jetën pasi sot shpërtheu një zjarr në një depo me pajisje kimike dhe në fabrikën fqinje për veshëmbathje në Daka, kryeqyteti i Bangladeshit, kumtuan zjarrfikësit, transmetoi DPA.
Talha Bin Jasim, zëdhënës i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Departamentit për mbrojtje civile, deklaroi se zjarrrfikësit i kanë nxjerrë trupat nga kati i tretë i fabrikës për veshëmbathje në pjesën veriore të qytetit, lagjja Mirpur.
Ai tha se numri i viktimave mund të rritet sepse ekipet kanë punuar në shuarjen e zjarrit, transmeton DPA.
Tre persona të shpëtuar nga vendi i ngjarjes menjëherë janë dërguar në spital, shtoi ai.
Arsyeja për zjarrin tani për tani nuk është e qartë, tha Çoudhuri, duke shtuar se nevojiteshin pothuajse katër orë për të shuar zjarrin në fabrikë.
"Por, depoja ende digjet, duke lëshuar tym toksik", tha ai.
Një i mbijetuar nga fabrika për veshëmbathje deklaroi për televizionin lokal "Xhamuna Televizion" se ai dhe katër të tjerë kanë mbijetuar duke kërcyer nga dritarja e katit të tretë.
Bangladeshi është eksportuesi i dytë më i madh i veshjeve në botë pas Kinës, duke fituar gati 40 miliardë dollarë në vit, kryesisht nga tregjet në SHBA dhe Evropë. Sektori i tekstilit në vend punëson më shumë se katër milionë punëtorë, kryesisht gra, në 4,000 fabrika, kujton DPA.
Industria është përballur me kritika për sigurinë e dobët në vendin e punës dhe aksidentet e shpeshta. Fatkeqësia më e keqe industriale në vend ndodhi në vitin 2013 kur ndërtesa tetëkatëshe "Rana Plaza" u shemb, duke vrarë më shumë se 1,100 njerëz, shumica prej tyre punëtorë tekstili. sa/
foto: MIA arkivi