• e premte, 02 janar 2026

Nëntë arritje mjekësore që dhanë shpresë në vitin 2025

Nëntë arritje mjekësore që dhanë shpresë në vitin 2025

Shkup, 31 dhjetor 2025 

National Geographic 

Përkundër faktit që viti i kaluar shënoi shkurtime të buxhetit dhe reduktime në ekipet kërkimore, shkenca ka arritur fitore të jashtëzakonshme në vitin 2025. Arritjet në mjekësi kanë transformuar mënyrën se si ne e kuptojmë shëndetin e njeriut — e në disa raste, kanë ndryshuar mënyrën se si ofrohet kujdesi shëndetësor sot. 
Shkencëtarët kanë zbuluar mënyra të reja befasuese për të parandaluar sëmundjet dhe për të forcuar kurimin e kancerit. Ata krijuan një atlas të trupit të njeriut, rregulluan një gjen për vetëm një fëmijë dhe përmirësuan kujdesin për situatat që lëvizin nga alergjitë ndaj ushqimit deri te menopauza, kanceri i qafës së mitrës dhe virusi shkaktar i mungesës së imunitetit të njeriut (Human Immunodeficiency Virus) – HIV. 

Këto janë nëntë nga zbulimet më mbresëlënëse të vitit. 

1. Revolucioni johormonal në kujdesin gjatë menopauzës 

Më shumë se 80 për qind e grave përjetojnë dallgë të nxehta (hov të nxehtësisë) dhe djersitje gjatë natës gjatë kalimit në menopauzë, e sipas shumicës prej tyre, simptomat janë mjaft të rënda për të ndikuar në përditshmërinë e tyre. Terapia hormonale mbetet trajtimi më efektiv, por shumë gra nuk mund ta marrin atë – veçanërisht nëse kanë pasur kancer të gjirit ose të mitrës, trombozë të venave të thella ose kushte të tjera shëndetësore. 

Dy trajtime të reja jo-hormonale për dallgë të nxehta mesatare deri të rënda tani ofrojnë lehtësim për ata që kanë mbetur më parë pa opsione. Lynkuet (elinzanetant), i aprovuar nga Drejtoria e Ushqimit dhe Barnave (FDA) këtë vit, bashkohet me Veozah (fezolinetant), i cili mori autorizimin dy vjet më parë. 

Këto tableta ditore synojnë neuronet që rregullojnë temperaturën në hipotalamusin e trurit pasi shkencëtarët zbuluan se këto qeliza nervore janë të ndjeshme ndaj fluktuacioneve të estrogjenit gjatë menopauzës. 

2. Shpëtim për fëmijët me alergji pa përdorimin e gjilpërës 

Qasja e shpejtë dhe e lehtë në epinefrinë mund të jetë shpëtim për fëmijët me alergji të rënda. Këtë vit solli alternativë pa gjilpërë. Neffy, një spërkatës i ri nazaë me recetë, shënon përditësimin e parë të madh në shpërndarjen e epinefrinës tek fëmijët në më shumë se tre dekada. 

Alergjitë ushqimore kanë një në 13 fëmijë dhe një dozë e shpejtë e epinefrinës gjatë një reaksioni të rëndë ndalon reaksionin zinxhir inflamator që mund të çojë në shtrim në spital ose vdekje të lidhur me anafilaksinë. Por, shumë fëmijë – dhe kujdestarët e tyre – hezitojnë të përdorin një auto-injektor siç është EpiPeni.  
"Neffy" është aprovuar për fëmijët e moshës katër vjeç e lart, të cilët peshojnë 15 deri në 30 kilogramë. Ilaçi absorbohet në trup falë teknologjisë së re që përkohësisht çliron hapësirën midis qelizave të hundës, duke lejuar që ilaçi të absorbohet shpejt në qarkullimin e gjakut. Ekspertët presin që ky ilaç, i cili është i lehtë për t'u administruar, do të ndihmojë më shumë fëmijë gjatë rasteve emergjente alergjike. 

3. Hapa të mëdhenj në mjekësinë rigjeneruese 

Një ëndërr e gjatë fantastiko-shkencore për rigjenerimin ose rritjen e sërishme të pjesëve të trupit të njeriut i është afruar realitetit. 

Shkencëtarët që studiojnë se si salamandrat rigjenerojnë gjymtyrët pas amputimit kanë gjetur një enzimë që rregullon nivelet e acidit retinoik – një molekulë thelbësore për rigjenerimin. Ata gjithashtu identifikuan një gjen që kontrollon madhësinë dhe zhvillimin e gjymtyrës. Meqenëse njerëzit kanë të njëjtët përbërës molekularë, këto gjetje ofrojnë një skicë të përafërt që një ditë mund të udhëzojë rigjenerimin e gjymtyrëve tek njerëzit që shërohen nga lëndimet traumatike. 

Arritje të tjera kanë sjellë mjekësinë rigjeneruese në fusha të reja. Studiuesit zhvilluan copëzën e parë të implantimit që forcoi murin e zemrës tek majmunët. Qelizat burimore të bëra në laborator u nxitën të bëhen muskuj të zemrës dhe inde lidhëse para se të implantohen dhe të integrohen në zemër. Kjo teknologji është në fazë të hershme, por është qasje premtuese për njerëzit me dobësi të zemrës. 

Shkencëtarët gjithashtu përdorën qelizat burimore për të krijuar indet funksionale të ureterit. Kjo është hera e parë që kjo strukturë, e cila transporton urinën nga veshkat në fshikëz, është ndërtuar nga këto qeliza të programueshme – një pjesë që më parë mungonte në kërkimin e rigjenerimit të sistemit renal (të veshkës). 

4. Skriningje më të mira për infeksionet seksualisht të transmetueshme 

Më shumë se dy milionë amerikanë diagnostikohen me infeksion seksualisht të transmetueshëm (IST) çdo vit – por shumë të tjerë e kanë sëmundjen pa e ditur atë. Ky boshllëk është i rëndësishëm: diagnozat dhe kujdesi i vonë mund të shkaktojnë infertilitet ose dhimbje kronike të legenit, si dhe përhapje të mëtejshme të sëmundjes. 
Ky vit solli përmirësime të rëndësishme në mënyrën se si zbulohen disa IST të zakonshme. Skriningu për virusin e papilomës humane (HPV), infeksioni që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës, ka përfshirë tradicionalisht marrjen e një kampioni nga një profesionist i kujdesit shëndetësor në një zyrë, zakonisht së bashku me një PAP test. 

vegla e re, Teal Wand, u mundëson grave t'i mbledhin këto qeliza vaginale vetë në shtëpi, pas një vizite të shkurtër virtuale për të marrë recetë. Gratë pastaj e dërgojnë mostrën në laborator për analiza. Ekspertët thonë se mundësimi i njerëzve për të marrë vetë mostra mund të rrisë ndjeshëm normat e skriningut. 
Një opsion tjetër në shtëpi, testi Visby, gjithashtu debutoi këtë vit dhe nuk kërkon recetën e nevojshme. Ai bën skrining për gonorre, klamidia dhe trikomoniazë. Përdoruesit mund të mbledhin një mostër qelizash dhe t'i fusin ato në pajisje të vogël testimi, e cila shfaq rezultatet në 30 minuta në aplikimin e produktit. 

5. Redaktimi gjenetik për pacient 

Mjeti i redaktimit të gjeneve CRISPR-Cas9, i cili fitoi çmimin Nobel për shpikësit e tij në vitin 2020, tashmë ka transformuar trajtimin për kushte të tilla si anemia drapërore. Por këtë vit, mjekët në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias e përdorën teknologjinë në një mënyrë të pashembullt. Ata hartuan një gjen të personalizuar për pacient të vetëm – një fëmijë mashkull i lindur me një çrregullim të rrallë gjenetik dhe metabolik të rrezikshëm për jetën. 

Menjëherë pas lindjes, foshnja Ki-Xhej (KJ) u diagnostikua me mutacion gjenetik që dëmtoi një enzimë kryesore në sistemin urinar, duke shkaktuar grumbullim të rrezikshëm të amoniakut toksik në qarkullimin e tij të gjakut. Rreth gjysma e foshnjave me këtë gjendje vdesin menjëherë pas lindjes, ndërsa të tjerët mbijetojnë vetëm nëse marrin transplantim të mëlçisë. 

Në këtë rast, mjekët identifikuan një defekt të vetëm gjenetik në gjenet e foshnjës dhe zhvilluan një zgjidhje të personalizuar, e cila iu administrua djalit në moshën shtatë dhe tetë muajshe. Mjeti CRISPR përdori nanopartikalet lipide – sfera të vogla me bazë yndyrore – për të transmetuar udhëzime gjenetike në mëlçi, duke bërë që qelizat e organit të prodhojnë enzimën e nevojshme për të korrigjuar mutacionin. Rezultatet e hershme tregojnë se trajtimi përmirësoi në mënyrë drastike shëndetin e fëmijës dhe përfundimisht mund ta shërojë atë plotësisht.  Që atëherë, spitale të tjera kanë filluar të punojnë në programet e tyre të personalizuara të terapisë së gjeneve – një teknologji që përfundimisht mund të kurojë miliona njerëz me sëmundje të rralla, njeri pas njeriu. 

6. Parandalimi i thjeshtë dhe efektiv i HIV 

Virusi i mungesës së imunitetit të njeriut (HIV), mikrobi që shkakton SIDA-n, mbetet sfidë e madhe globale për shëndetin. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 100 njerëz diagnostikohen me virusin çdo ditë. Megjithëse barnat e profilaksisë para ekspozimit (PrEP) – të disponueshme si pilula ditore ose injeksione me ndërprerje – janë shumë efektive, përdorimi i tyre mbetet i ulët. Vetëm një e treta e njerëzve në Shtetet e Bashkuara që mund të përfitojnë nga PrEP (njerëzit që janë seksualisht aktivë me dikë që ka HIV ose statusi i të cilit është i panjohur) aktualisht e përdorin atë, e ky numër është edhe më i ulët në nivel global. 

Këtë vit, FDA aprovoi opsion të ri që mund të ndihmojë në mbylljen e këtij hendeku: Yeztugo (lenacapavir), PrEP në formën e injeksionit që pranohet dy herë në vit, të zhvilluar nga Gilead Sciences. Hulumtimet tregojnë se, kur jepen çdo 6 muaj, këto injeksione parandalojnë pothuajse çdo transmetim të HIV. 

Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan këtë aprovim "moment historik", duke vënë në dukje se do të ndihmojë në tejkalimin e pengesave kryesore për parandalimin e SIDA-s, duke përfshirë nevojën për vizita të shpeshta te personeli shëndetësor dhe stigmën e lidhur me mjekimin e përditshëm parandalues. (Ilaçi, së bashku me medikamente të tjera, gjithashtu ndihmon në menaxhimin e HIV tek ata që tashmë janë të infektuar, megjithëse nuk është ilaç për kurim të plotë.) 

7. Vaksinat që luftojnë më shumë se vetëm infeksionin 

Vaksinat kanë provuar të jenë vegla efektive për t'u mbrojtur nga viruset, duke përfshirë KOVID-19, herpes, gripin dhe sëmundje të tjera. Por, hulumtimet e reja tregojnë se këto injeksione mund të sjellin përfitime më të gjera, duke përfshirë parandalimin e sulmeve në zemër dhe demencës, si dhe përmirësimin e përgjigjes së pacientëve ndaj terapive të caktuara të kancerit. 

Njerëzit që morën vaksinën e herpesit ulën rrezikun e tyre për goditje në tru për 16% dhe sulm në zemër për 18%, sipas një pasqyre të 19 studimeve të paraqitura në konferencë të madhe kardiologjike këtë verë. E njëjta vaksinë gjithashtu zvogëlon shanset e zhvillimit të demencës për një të tretën në tre vitet e ardhshme, përcaktuan studiues të tjerë. 

Ndërkohë, te njerëzit me kancer të avancuar të mushkërive dhe lëkurës që morën vaksinën  COVID-19 mRNK (mRNA) brenda tre muajve nga fillimi i imunoterapisë kishin përgjigje të përmirësuar ndaj ilaçit në tumore dhe jetuan më gjatë se ata që nuk e morën vaksinën. 

Shkencëtarët nuk mund të thonë me siguri pse vaksinimi ka këto përfitime shtesë. Megjithatë, ata vërejnë se viruset afatgjata, të tilla si Epstein-Barr, shoqërohen me çmenduri dhe komplikime të tjera shëndetësore afatgjata, të tilla si lupusi, dhe se "forcimi" i sistemit imunitar mund të rrisë imunoterapinë. 
8. Parandalimi i kancerit pankreatik para se të fillojë 

Kanceri i pankreasit është një nga tumoret malinje më vdekjeprurëse, pjesërisht sepse shpesh diagnostikohet vetëm pasi të ketë arritur një fazë të avancuar. Më pak se 13 për qind e pacientëve mbijetojnë pesë vjet pas diagnozës. 

Në vitin 2025, shkencëtarët bënë përparim drejt zbulimit – dhe parandalimit të mundshëm – të sëmundjes në fazë shumë më të hershme. Në studimet mbi minjtë laboratorikë dhe qelizat njerëzore, shkencëtarët kanë zbuluar se bllokimi i proteinës FGFR2, e cila "përshpejton" qelizat e hershme të kancerit të pankreasit, i pengon ato të bëhen kancerogjene në situata të caktuara. 

Për shkak se barnat që pengojnë këtë proteinë janë tashmë në dispozicion, studiuesit shpresojnë ta testojnë këtë qasje në individë me rrezik të lartë, duke përfshirë ata me një histori familjare të sëmundjes. Provat klinike njerëzore janë ende të nevojshme, por kjo punë ofron njohuri të hershme se si kanceri i pankreasit mund të zbulohet një ditë para se të formohet. 

9. Krijimi i atlasit të trupit të njeriut 

Kuptimi ynë i trupit të njeriut bëri një hap të madh përpara këtë vit, kur studiuesit britanikë arritën qëllimin për të përfunduar më shumë se një miliard skanime mjekësore nga 100.000 vullnetarë. Projekti – pjesë e UK Biobank, një nga bazat më gjithëpërfshirëse të të dhënave shëndetësore në botë – përfshinte imazhe të rezonancës magnetike, ultratinguj dhe skanime të tjera të hollësishme të trurit, zemrës, kockave, nyjeve, bustit dhe enëve të gjakut. 

Studiuesit gjithashtu kryen matje fizike, mostra gjaku dhe materiali gjenetik, së bashku me vlerësimet e mënyrës së jetesës dhe ndikimit në mjedisin jetësor. Të gjitha të dhënat janë anonime. Hapi tjetër është që disa qindra mijëra pjesëmarrës të kthehen deri në shtatë vjet më vonë për skanime shtesë, duke siguruar dëshmi se si ndryshon trupi me kalimin e kohës. 

Biobanka tashmë ka mundësuar mijëra studime shkencore. Në një shembull, shkencëtarët nga më shumë se 40/000 skanime mësuan se kur zemra tregon shenja të sëmundjes, aq shpesh këtë e bën edhe truri, duke sugjeruar se mbrojtja e shëndetit kardiovaskular mund të ndihmojë në zvogëlimin e rrezikut nga demenca.


foto: EPA 
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR