• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Nënshkruhet memorandum për uljen e ndotjes së ajrit nga sistemet e vjetra të ngrohjes në institucionet shëndetësore publike

Nënshkruhet memorandum për uljen e ndotjes së ajrit nga sistemet e vjetra të ngrohjes në institucionet shëndetësore publike

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) - Në hapësirat e Ministrisë së Shëndetësisë sot u nënshkrua memorandum për mirëkuptim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS). Me këtë memorandum, siç u theksua, forcohet bashkëpunimi në drejtim të uljes së ndotjes së ajrit nga sistemet e vjetra të ngrohjes në institucionet shëndetësore publike.

Bashkëpunimi është në kuadër të projektit "BE për ajër të pastër", financuar nga delegacioni i BE-së. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sqaroi se janë përfshirë poliklinikat "Bit Pazar", "Çento", "Draçevë", "Shuto Orizare", "Gjorce Petrov", spitali psikiatrik – Shkup, Spitali special për kujdesin geriatrik dhe paliativ "13 Nëntori – Shkup", Spitali klinik - Tetovë, Qendra shëndetësore - Tetovë dhe Qendra e shëndetit publik - Tetovë.

"Me projektin parashikohet zëvendësim i plotë i sistemit të ngrohjes me sistem ekologjik të gazit natyror. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë kontribuon në projekt me ndërtimin e rezervuarëve për gazin natyror të kompresuar, ndërsa parashikohet ndërrimi i kaldajave dhe rikonstruksioni i rrjetit të brendshëm të ngrohjes në objekte", shton ministri.

Vlera e pjesës që do të financohet nga Ministria e Shëndetësisë është 76 milionë denarë, ndërsa parashikohet që aktivitetet të përfundojnë deri në korrik të vitit 2025.

"Me këtë rast dëshiroj të dërgoj falënderim deri tek Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), si partneri ynë me përpjekje të përbashkëta po zbatojmë masat për uljen e ndotjes së ajrit në vendin tonë. Ky është një nga prioritetet për të cilin do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim edhe në të ardhmen", ka thënë Taravari.

Përfaqësuesja e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS), Mikela Telatin theksoi se ky memorandum mirëkuptimi është "me të vërtetë kritik dhe i rëndësishëm për të përmirësuar situatën shëndetësore në vend".

"Ky partneritet është një hap vërtet i rëndësishëm përpara ku ne shënojmë përkushtimin tonë për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies së njerëzve në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, ky partneritet është bazë e projektit të BE-së për ajër të pastër, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Zyra UNOPS", shtoi Telatin. rq/

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR