• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nënshkruhen Protokollet për qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur

Nënshkruhen Protokollet për qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur

Shkup, 22 janar 2024 (MIA) - Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë do të kenë qasje të lirë në tregun e punës në këto tri vende, për të cilën sot u nënshkruan Protokollet për Qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, me homologët nga Shqipëria dhe Serbia, e nënshkruan Protokollin për lidhshmëri të ndjërsjellë të skemave për identifikim elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Agjencisë për Punësim Vedat Osmani së bashku me homologët nga Shqipëria dhe Serbia e nënshkruan Protokollin e parë për zbatimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës të Ballkanit Perëndimor.

Me këto protokolle të përfunduara nevojiten hapa juridik për fillimin e masës, me të cilën mbetet të realizohen edhe testimet teknike përfundimtare dhe harmonizimet  në suaza të sistemeve për e-shërbime në tri shtetet. Pritet që masa të mbetet e arritshme për qytetarët gjatë muajit mars të vitit 2024.

Nënshkrimi i dy Protokolleve do të thotë edhe obligim ligjor i ndërsjellë për fillimin e qasjes së lirë në tregun e punës.

Ky projekt është në pajtim me misionin për bashkëpunim dhe zbatim të katër lirive, lirisë së lëvizjes të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Me qëllim që të sigurohet përparim dhe prosperitet ekonomik, duke e marrë parasysh vlerën e mobilitetit dhe lëvizjes së punëtorëve, ndërsa duke e respektuar implementimin e të drejtës së BE-së në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve dhe përgatitjen për integrim më të afërt në tregun e vetëm të BE-së, lejojmë thjeshtësimin e procedurave për qasje të lirë dhe të barabartë në tregun e punës. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR