• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nënshkruhen marrëveshjet me gjeneratën e parë të bursistëve të Ministrisë së Mbrojtjes

Nënshkruhen marrëveshjet me gjeneratën e parë të bursistëve të Ministrisë së Mbrojtjes

Shkup, 11 janar 2024 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot ka nënshkruar kontratë me shtatë studentë që përbëjnë gjeneratën e parë të bursistëve të cilët edukohen në programet studimore që karakterizohen si profesione kritike në Armatë. Bëhet fjalë për dy studentë të cilët arsimohen në degën e sistemeve gjeografike të informacionit, tre studentë nga fakultetet e mjekësisë dhe nga një në teknologji kompjuterike dhe energjetikë dhe një në ekologji të cilët vijnë nga UCM, UGD dhe Univresiteti i Kolegjit Amerikan. Janë pranuar në konkursin për bursat e studentëve për nevojat e Armatës nga Ministria e Mbrojtjes pas përzgjedhjes dhe ekzaminimeve fizike dhe mjekësore nga gjithsej 11 kandidatët e regjistruar.

"Studentët pas përfundimit të studimeve do të punësohen në ministri, apo në Armatë dhe do të kenë mundësi menjëherë të jenë pjesë e sistemit mbrojtës, të punojnë me pajisjet më moderne, të avancojnë njohuritë e tyre dhe ta përdorin atë në zhvillimin e Armatës dhe mbrojtjes. Ministria sfidën e plotësimit të personave nga profesionet kritike në Armatë i zgjedh në mënyrë sistemore", tha Petrovska dhe ka shprehur mirënjohjen e saj që pas përfundimit të shkollimit vendosën që karrierën e tyre profesionale ta vazhdojnë pikërisht në mbrojtje.

Diana Koka Xhemaili nga Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë në UCM në semestrin e 5-të, thotë se që e vogël është përcaktuar për shërbimin ushtarak dhe mjekësinë, sepse beson se çdo vend i fuqishëm duhet të investojë në shëndetësi dhe mbrojtje dhe ajo zhvillimin e karrierës së saj pavarësisht mundësive për të studiuar jashtë shtetit e sheh në vendin e saj.

"Gjithmonë kam dashur të qëndroj në vendin tim dhe shpresoj që në konkursin e radhës të vendosin më shumë studentë të aplikojnë dhe të jenë këmbëngulës në përmbushjen e qëllimit të tyre në vendin e tyre. Unë kam marrë një bursë për të studiuar në Gjermani, por e refuzova dhe tani jam shumë krenare për veten. Dua të qëndroj në vendin tim", ka thënë Diana duke falënderuar për këtë mundësi.

Jovan Ivanov nga Kolegji amerikan, student në teknikën kompjuterike dhe informatikë theksoi se bursa për të është një nxitje për ngritjen e tij personale dhe profesionale në fushën e teknologjisë informatike dhe shpreson se do të mund të kontribuojë për vendin e tij dhe Armatën në përmirësimin e sigurisë se saj kibernetike dhe në fusha të tjera të teknologjisë së informacionit.

Dimitar Tanurovski, student i mjekësisë pranë UGD, semestri i 9-të ka inkurajuar kolegët e tij të aplikojnë për konkursin tjetër, sepse thotë ai, "për secilin do të ishte nder që të mund t'i shërbejë atdheut". 

Ndryshe, Petrovska theksoi se bazë për publikimin e këtij konkursi është Ligji për shërbimin në Armatë dhe paralajmëroi se me miratimin e ligjit për punësime në Ministrinë e Mbrojtjes i cili tashmë është në procedurë parlamentare do të mundësohet bursë dhe punësim të personave për kryerje të profesioneve kritike edhe në ministri. 

Bazuar në kushtet e konkuirsit i publikuar në nëntor të vitit të kaluar, bursat janë lartësi të një përqindje të caktuar të pagës mesatare në vend dhe arrin 30 për qind për studentët në vitin e parë (11.654 denarë) deri në 80 për qind për studentë në vitin e gjashtë të studimeve. Bursat do të paguhen konform ligjit për vitin akademik 2023/2024 që ka filluar që do të thotë se do të marrin pagesë retroaktive nga fillimi i këtij viti akademik. 

Konkursi i ri për bursistët do të publikohet pas mbarimit të ciklit zgjedhot të këtij viti në muajin qershor, ndërsa do ta presin edhe miratimin e ligjit për punësime në ministri, tha Petrovska. rq/

Foto: Ministria e Mbrojtjes

QËNDRONI TË LIDHUR