• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Në vendkalimin kufitar "Bllatë" në Dibër për dhjetë muaj frekuencë rekorde prej mbi 661 mijë udhëtarë

Në vendkalimin kufitar

Dibër, 19 nëntor 2024 (MIA) – Në vendkalimin kufitar “Bllatë” në kufirin Maqedoni e Veriut – Shqipëri në Dibër, për dhjetë muaj të këtij viti, është regjistruar frekuencë rekorde e udhëtarëve, prej mbi 661 mijë, që është numri më i madh që nga hapja e tij në vitin 1992. 

“Në periudhën janar – tetor janë regjistruar 661.322 udhëtarë, që është për 49.559 udhëtarë më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Prej tyre 138.285 janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, që është për 3.536 më shumë, përderisa 523.037 të tjerët janë shtetas të huaj, që është për 46.023 udhëtarë më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Shikuar veçmas, qytetarët e Maqedonisë në hyrje janë 52.368, ndërsa pjesa tjetër, nga 85.917 në dalje. Në mesin e shtetasve të huaj janë 282.897 udhëtarë në hyrje dhe 240.140 udhëtarë që dalin”, thanë për MIA-n nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Shqipëri përmes vendkalimit “Bllatë”, i cili është në largësi prej katër kilometra nga Dibra, kalojnë, kryesisht për pushime verore në bregdetin shqiptar, për vizitë ose në ahengje te të afërmit dhe miqtë e tyre, furnizim të perimeve dhe pemëve jugore. 

Shtetasit shqiptarë, nga vendbanimet kufitare në rrethinën e Peshkopisë vijnë kryesisht për blerje në Dibër, ku furnizohen me artikuj ushqimorë, rroba, karburante, ilaçe, si dhe për shërbime të caktuara shëndetësore. Edhe ata, por edhe ata nga Tirana, për shkak të lidhjeve farefisnore me dibranë, vijnë për vizitë te të afërmit ose në ahengje te ata, si dhe për vizitë në vendet turistike. 

Gjithashtu këtë vendkalim e shfrytëzojnë edhe mërgimtarët tanë nga Italia të cilët vijnë në vendlindje, në periudhën e verës, me trajekte përmes portit të Durrësit. 

Rritja e vazhdueshme e frekuencës, gjatë viteve të fundit ka të bëjë me infrastrukturën rrugore dukshëm të përmirësuar, këtu, gjithsesi, lëshimi në përdorim i autostradës “Rruga e Arbërit” me çka largësia nga vendkalimi, deri në Tiranë, është ulur prej 180 në 70 kilometra, si dhe rikonstruimi i plotë i aksit rrugor Hanet e Mavrovës – Dibër. fc/

Fotografia: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR