• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në vendkalimet kufitare sot vetëm me dokumente të reja, Shqipëria lëshon edhe me letërnjoftime të vjetra

Në vendkalimet kufitare sot vetëm me dokumente të reja, Shqipëria lëshon edhe me letërnjoftime të vjetra

Shkup, 13 shkurt 2024 (MIA) - Qarkullimi i veturave në të gjitha vendkalimet kufitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut me shtetet fqinje zhvillohet normal, pa vonesa. Nga mesnata veturat lëshohen sipas dispozitës së Marrëveshjes së Prespës, me të cilën më nuk vlejnë pasaportat dhe dokumentet për përdorim ndërkombëtar, të cilat e mbajnë emrin e vjetër Republika e Maqedonisë. 

Shërbimet kufitare greke në vendkalimin kufitar Bogorodicë - Evzoni nuk u kanë lejuar hyrje udhëtarëve nga shteti ynë, të cilët kanë leje qarkullimi me emrin e vjetër të shtetit. Ata ishin kthyer, ndërsa përveç lejeve të qarkullimit në hollësi i kanë kontrolluar edhe dokumentet e tjera. Në këtë vendkalim kufitar deri në orën 12 kanë kaluar rreth 300 udhëtarë dhe nuk ka vonesa të mëdha për kalimin e kufirit. 

Në bazë të protokollit dypalësh me Shqipërinë, komunikacioni zhvillohet normal me dokumente të vlefshme dhe me patentë shoferë dhe targa pa shenjën NMK. Sipas informacioneve të MIA-s, vendkalimin kufitar Qafë Thanë, me Shqipërinë fqinje, nga ana e Maqedonisë së Veriut e kanë lëshuar qytetarë me letënjoftim të vjetër pa shtesën e Veriut dhe nuk janë kthyer, gjegjësisht janë lëshuar edhe nga shërbimet kufitare shqiptare. 

Në atë vendkalim kufitar nga mesnata deri në orën 10 të mëngjesit, gjithsej 837 udhëtarë kanë hyrë dhe dalur nga shteti. 

"Në Qafë Thanë nga ora 00:00 e mesnatës deri në orën 10:00 të ditës së sotme, në krahasim me ditën e djeshme, qarkullimi i udhëtarëve dhe automjeteve ka rritje të lehtë, zhvillohet normalisht, pa probleme dhe pa ndalesa në anën shqiptare. Në hyrje janë regjistruar 62 shtetas tanë dhe 441 shtetas të huaj, ose gjithsej 503 udhëtarë. Në dalje janë regjistruar 147 shtetas tanë dhe 187 shtetas të huaj, ose gjithsej 334 udhëtarë. Nëpunësit policorë nga vendkalimi kufitar Qafë Thanë janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për qarkullim më të lehtë të udhëtarëve dhe veturave", tha për MIA-n zëdhënësja Merlina Ziba.

Edhe në vendkalimet kufitare "Bllatë" dhe "Xhepishtë - Trebishtë" në kufirin Maqedoni e Veriut - Shqipëri në Dibër nuk ka ndryshime në qarkullimin e udhëtarëve dhe veturave. 

Në vendkalimin kufitar "Bllatë" normal zhvillohet komunikacioni dhe autoritetet kufitare shqiptare i pranojnë të gjitha dokumentet valide, si edhe deri më tani, në bazë të protokollit dypalësh. Në vendkalimin kufitar, Xhepishtë - Trebishtë, i cili është me karakter lokal dhe kanë të drejtë ta shfrytëzojnë vetëm banorët e këtij rajoni kufitar, deri në orën 12 nuk kishte banor të regjistruar për hyrje në territorin shqiptar. 

Frekuenca e veturave dhe qytetarëve për hyrje dhe dalje në shtet dhe në vendkalimin kufitar Dellçevë - Stanke Lisiçkovë drejtë Republikës së Bullgarisë sot në mëngjes ishte në kuadër të normales. Të gjithë që kanë shkuar jashtë Maqedonisë së Veriut kanë pasur dokumente valide udhëtimi dhe nuk është vërejtur ndonjë rast i udhëtarëve të cilët duan të udhëtojnë në Bullgainë fqinje, pa dokumentacionin e nevojshëm.

Korrespondenti i MIA-s ka biseduar me kujdestarët në vendkalimin kugitar Dellçevë, të cilët thonë se ata që në mëngjes janë larguar nga vendi e dinë saktë se çka duhet të posedojnë si dokument valid sepse pa problem është zhvilluan kontrolli kufitar. 

Nuk ka pengesa dhe probleme në komunikacionin ndërkombëtar as në vendkalimin kufitar Mexhitlia. 

 

Në vendkalimin kufitar "Tabanocë", sipas MPB-së, qarkullimi i udhëtarëve dhe veturave zhvillohet me intensitet dukshëm më të ulur. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR