• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Universitetin e Tetovës u shënua trevjetori i anëtarësimit të vendit në NATO

Në Universitetin e Tetovës u shënua trevjetori i anëtarësimit të vendit në NATO

Tetovë, 5 prill 2023 (MIA)- “Dialogjet akademike me stafin dhe studentët e Universitetit të Tetovës” ishte tema e aktivitetit që u zhvillua në Universitetin tonë nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje u organizua me rastin e ditës së NATO-s dhe trevjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike. Me këtë rast, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, prorektorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë pritën në takim ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Gjeneralin e Brigadës, Besnik Emini. Në këtë takim, përveç aktiviteteve që realizojnë institucionet tona u diskutua edhe për rëndësinë dhe rolin që ka NATO për sa i përket aspektit politik, sigurisë, paqes, stabilitetit, por edhe të zhvillimit ekonomik. Rektori i universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij drejtuar studentëve dhe profesorëve tha se, deri sa ne e shënojmë sot 3 vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, themi me gojën plotë se ky është një moment historik dhe me rëndësi jetike për vendin tonë. “Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar që të luaj një rol aktiv në integrimin euroatlantik të vendit tonë, përmes aktiviteteve arsimore dhe shkencore, si dhe bashkëpunimeve tona me institucione dhe organizata të tjera. Ne jemi krenarë që qëndrojmë këtu sot, si anëtar të komunitetit të NATO-s dhe jemi të përkushtuar të punojmë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë. Anëtarësimi në NATO i ka sjellë përfitime të shumta Maqedonisë së Veriut, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në zhvillimin ekonomik. Si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka qasje në aftësitë e mbrojtjes kolektive të aleancës, të cilat përfshijnë një sistem të fuqishëm të ndihmës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në rast të një sulmi ndaj ndonjë shteti anëtar”, theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, foli mbi temën “Ndikimi i zhvillimeve gjeopolitike, paradigma e re e sigurisë dhe koncepti strategjik i NATO 2030 - sfida dhe mundësi”. “Kur flasim për NATO-n, ekzistojnë shumë sfida. Kur u zgjodha ministre e Mbrojtjes vitin e kaluar, në takimet e para që i pata me shtabin e përgjithshëm të armatës, shpesh ndodhte që të paraqesë probleme. Në atë kohë isha mjaft e dedikuar dhe isha e orientuar që për Armatën dhe mbrojtjen e shtetit nuk ekzistojnë probleme por vetëm sfida, pasi që gjithçka mund të jetë e tejkaluar. NATO është një sfidë serioze dhe një përcaktues i madh strategjik, pasi që më shumë se 20 vite është folur për këtë në vendin tonë. Në vitin 2020 pas një rruge të gjatë, me meritë, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtari i 30 i NATO-s”, tha ministrja Sllavjanka Petrovska.

Ndërsa, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi u fokusua te ndikimi që ka pasur anëtarësimi në NATO në Ekonominë e Maqedonisë së Veriut. “Me anëtarësimin në NATO inkurajohen investitorët e huaj dhe vendorë që të vazhdojnë të investojnë, po ashtu ka një rëndësi të madhe sundimi i ligjit, që do të thotë se ata i bëjnë investimet e tyre në një vend të qëndrueshëm dhe kështu do të mbrohen si investitorë. Tre vitet e fundit që kur RMV-ja është anëtare e NATO-s, me përjashtim të vitit 2020, për shkak të gjendjes së pandemisë, të dhënat tregojnë se në vitin 2022 në kushte të krizës energjetike kemi rritje të bruto investimeve në BPV prej 5,5% në raport me vitin 2021, rritje të tregtisë së përgjithshme prej 20,8% në raport me investimet e huaja prej 241 milionë euro në raport me vitin 2021, rënie të papunësisë prej 1,2% në raport me vitin 2021 dhe rritje të normës së punësimit prej 0,7% në raport me vitin 2021”, nënvizoi mes tjerash ministri Kreshnik Bekteshi.

Në aktivitetin e sotëm, fjalë mbajtën edhe gjenerali i Brigadës, Besnik Emini dhe Ilijia Xhugumanov nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë së Veriut. Në këtë ngjarje, po ashtu u tha se me shënimin e ditës së NATO-s, promovohen historia, vlerat dhe qëllimet e Aleancës, si dhe theksohet rëndësia e integrimeve euroatlantike.

 

QËNDRONI TË LIDHUR