• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Tetovë hapet qendër për grumbullimin e mbeturinave të rënda

Në Tetovë hapet qendër për grumbullimin e mbeturinave të rënda

Tetovë, 24 tetor 2024 (MIA) – Në Tetovë, në lokacionin në rrugën drejt fshatit Trebosh, sot është hapur Qendra për grumbullimin e mbeturinave të rënda. Qendra është hapur në bashkëpunim me firmën “Saubmaher” e cila menaxhon me mbeturinat në Komunën e Tetovës. Në këtë hapësirë falas do të mund të lihen mbeturinat e rënda, ndërsa për sasi më të mëdha nga “Saubmaher” mund të dërgohet edhe automjet me të cilin mbeturinat do të merren nga shtëpitë e qytetarëve. 

“Tashmë qytetarët do të mund të sjellin këtu të gjitha llojet e mbeturinave të rënda, të cilat deri më tani hidheshin në afërsi të kontejnerëve, por edhe në rrugë. Nëse qytetarët nuk mund t'i sjellin mbeturinat e mëdha këtu, ne kemi marrë vendim në Këshill që të shkojmë në shtëpitë e tyre me një automjet dhe t'i marrim mbeturinat nga atje pa paguar qytetarët. Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të punojmë që të kemi një qytet më të pastër dhe më evropian, pra të jetë një qytet me zero mbeturina”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Kryetari Kasami gjithashtu tha se ata qytetarë të cilët sillen pa përgjegjësi dhe i hedhin mbeturinat jashtë kontejnerëve do të regjistrohen me kamera të cilat do të vendosen në shumë vende kyçe në qytet. 

“Në periudhën në vijim do të vazhdojmë me vendosjen e kamerave në disa pika kritike të qytetit, ku hidhen mbeturina dhe në këtë mënyrë do të identifikojmë qytetarët e pandërgjegjshëm që nuk hedhin mbeturina në kontejnerë. Krahas kësaj, në qytet janë vendosur edhe disa kontejnerë të destinuar për deponimin e mbeturinave elektronike”, tha Kasami, i cili njoftoi se së shpejti do të dalë me të dhënat se sa qytetarëve u janë marrë masa për deponim jo të duhur të mbeturinave. Gjithashtu, ai i bëri apel policisë dhe Gjykatës që të marrin më seriozisht shkeljet e tilla dhe të vendosin masa më serioze për të parandaluar sjelljen e papërgjegjshme të qytetarëve në hedhjen e mbeturinave.

Nga firma “Saubmaher” thanë se kjo Qendër për grumbullimin e mbeturinave është aktivitet i përbashkët me Komunën, por u ankuan se pagesa e faturave nga ana e qytetarëve është shumë e vogël. 

“Ky vend ku do të depozitohen mbeturinat e mëdha do të jetë i hapur nga e hëna deri të shtunën nga ora 8 deri në orën 16. Në fazën e parë do të grumbullohen mbeturina të mëdha, plastike, letra dhe mbetje elektronike. Nëse kjo qendër për grumbullimin e mbeturinave pritet mirë nga qytetarët, ne po mendojmë të hapim një tjetër në një lokacion tjetër në pjesën tjetër të qytetit. Deponimi i mbetjeve do të jetë pa pagesë për çdo qytetar që paguan rregullisht faturat në ‘Saubmaher’. Fatkeqësisht, tani mbledhja e faturave nuk është ajo që prisnim dhe është vetëm një e treta e totalit të faturave, dhe me një arkëtim kaq të vogël nuk mund të ketë zhvillim afatgjatë, ndaj është e mundur që në periudhën e ardhshme masa ndëshkuese do të merren për përdoruesit e pandërgjegjshëm të shërbimeve tona”, theksoi Robert Kaiç, drejtor i "Saubmaher". fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR