• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në takimin e G-20 në Rio de Zhanejro, Brazili kërkon reforma në OKB

Në takimin e G-20 në Rio de Zhanejro, Brazili kërkon reforma në OKB

Rio de Zhanejro, 22 shkurt 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Brazilit, Mauro Vieira bëri thirrje për reforma në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e tjera shumëpalëshe, duke e kritikuar paaftësinë e tyre që të parandalojnë konflikte globale. 

Në fjalimin hyrës në takimin e G-20 në Rio de Zhanejro, me të cilin Brazili e filloi kryesimin e tij vjetor me Grupin 20 të forcave më të mëdha ekonomike në botë, Vieira vlerësoi para kolegëve ministra se Këshilli i Sigurisë së KB-së nuk është në gjendje të parandalojë ose ndërpresë konflikte si ato aktuale në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës.

"Institucionet shumëpalëshe nuk janë të pajisura në mënyrë adekuate që të përballen me sfidat aktuale, siç u dëshmua me paralizën e papranueshme të Këshillit të Sigurisë lidhur me konfliktet aktuale", tha Vieira. 

Ministrat e Punëve të Jashtme të 20 vendeve të pasura dhe vende në zhvillim këtë javë bisedojnë për varfërinë, ndryshimet klimatike dhe tensionet globale të përforcuara, duke vendosur agjendën për punën e tyre që qon në Samitin e G-20 më 18-19 nëntor në Rio.

Një nga propozimet kyçe të Brazilit të dhëna nga presidenti Luis Inasio Llula da Silva është reforma e institucioneve për udhëheqje globale siç janë Kombet e Bashkuara, Organizata Tregtare Botërore dhe bankat shumëpalëshe, ku ai kërkon përfaqësim më të madh të vendeve në zhvillim. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR