• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Mal të Zi arrestohen dy shtetas të Kosovës të dyshuar për krime lufte

Në Mal të Zi arrestohen dy shtetas të Kosovës  të dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 4 tetor 2023 (MIA) - Policia e Kosovës njoftoi se në Mal të Zi janë arrestuar dy shtetas të Kosovës, të cilët janë kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte në luftën e vitit 1998-99 në Kosovë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Personi i identifikuar me inicialet Z.V. (i lindur në vitin 1961) është arrestuar më 1 tetor, ndërsa më 4 tetor u arrestua I.B. ( i lindir në vitin 1975).

"Pas koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke të Policisë së Kosovës me autoritetet kompetente të Malit të Zi, më datë 01.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e tyre personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet Z.V  shtetas i RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale "Krime Lufte". Po ashtu me datë 04.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e Malit të Zi personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet I.B  shtetas I RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale "Krime Lufte", thuhet në kumtesën e policisë.

Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga Mali i Zi në Kosovë, sipas procedurave ligjore.

"Policia e Kosovës përmes ILEKU-t, (Njësia ndërkombëtare për bashkëpunim për zbatim të ligjit) vazhdon në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve të tjera, dhe me organizatat ndërkombëtare policore e të sigurisë, me qëllim të arrestimit të personave të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, ekstradimit apo sjelljes së tyre para organeve të drejtësisë", thuhet në kumtesë. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR